Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja me COVID-19, shkon në 383 numri i të prekurve

15 të shëruar në 24 orë. Shkon në 131 numri i të shëruarve

Silva Bino- Instituti i Shëndetit Publik Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 182 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 pacientë janë të intubuar.  Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 74 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Leave a Reply