MSA-ja, Jahjaga uron qytetarët: Sot nis rrugëtimi drejt BE-së

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur nënshkrimin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, ndërkohë që me këtë rast ka uruar edhe qytetarët e Kosovës, duke thënë se përmes saj, vendi nis rrugëtimin e pakthyeshëm drejt anëtarësimit në BE, në familjen e shteteve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit.

E megjithatë, në urimin e saj drejtuar qytetarëve, Jahjaga ka shtuar se, Kosova ka një rrugë të gjatë përpara, që kërkon shumë përpjekje nga ana e udhëheqësve të vendit, deri në pragun përfundimtar të anëtarësimit.

Më poshtë është edhe komunikata e plotë e Presidentes Jahjaga:

Të dashur qytetarë,

Sot është një ditë shumë e veçantë për Republikën e Kosovës. Në një ceremoni të organizuar në Strasburg, kryeministri i Kosovës dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova nis sot rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në familjen e shteteve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit.

Uroj përzemërsisht qytetarët e Kosovës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik, që gëzon axhenda europiane në Kosovë. Arritëm këtu, deri te kjo ditë historike për Kosovën, me angazhimin e gjerë të qytetarëve, institucioneve, spektrit politik, shoqërisë sonë civile, komunitetit të biznesit e shumë segmenteve të tjera të shoqërisë.

Nga sot, Kosova vendos marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Europian, marrëdhënie këto me të drejta dhe detyrime të ndërsjellta. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do të thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian. Përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

U shpreh mirënjohjen time institucioneve të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare për mbështetjen e vazhdueshme, për rrugën e qartë europiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kosova ka një rrugë të gjatë përpara, që kërkon shumë përpjekje nga ana jonë deri në pragun final të anëtarësimit. Ne jemi përcaktuar në anën e drejtë të historisë dhe kemi përqafuar vlerat dhe idealet e paqes dhe të lirisë. Kjo rrugë tashmë është e qartë, reciproke dhe e pakthyeshme. Urime!

Leave a Reply