Mustafa: Kosova nuk ka krizë institucionale, opozita të tërhiqet

Përmes një konference për shtyp këtë të premte nga selia e Qeverisë, i kthyer nga vizitat e shumta të zhvilluara në Nju Jork, kryeministri i Kosovës Mustafa është shprehur se vendi nuk ka krizë institucionale dhe se nga ndërkombëtarët ka marrë përkrahje të plotë për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, për demarkacionin me Malin e Zi, por edhe anëtarësimin në UNESCO dhe integrimin e mëtejshëm në strukturat euroatlantike.

“Kosova nuk ka dhe nuk mund të ketë krizë institucionale. Mendoj se opozita duhet të tërhiqet nga veprimet e fundit dhe të jetë e pranishme në Kuvend për të zhvilluar debat. Ne jemi të gatshëm të flasim me argumente përpara opozitës, sikurse nuk do të vëmë kurrë kushte ndaj tyre. Kemi siguruar përkrahjen e plotë nga të gjithë ndërkombëtarët, të cilët vlerësojnë se të gjitha hapat që kemi hedhur deri më tani janë në dobi të Kosovës dhe integrimit të saj. Gjithçka është bërë deri tani është implementim i marrëveshjes së parë dhe nuk del jashtë kornizave të saj për themelimin e Asociacionit. Si kryeministër i vendit po zbatoj ligjin e miratuar gjatë ratifikimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013”, tha thënë Mustafa, i cili ka ftuar opozitën të tërhiqet dhe të mos bllokojë punimet e Kuvendit të Kosovës me veprimet e saj.

Veç të tjerash, Isa Mustafa është shprehur se ka marrë përkrahjen e ndërkombëtarëve edhe për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Gjatë vizitave tona në Nju Jork jemi takuar me Presidentin e KE-së dhe me shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, me të cilët kemi diskutuar çështjet e integrimit në BE, procesin e liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin e MSA-së. Prej tyre kemi përkrahje të plotë. Nuk mund të flas për afate për liberalizimin, por ne do të bëjmë gjithçka që t’i përmbushim deri në fund të nëntorit të gjitha kriteret”, ka shtuar Mustafa.

Në të gjitha takimet, kryeministri i Kosovës tha se si delegacion kanë lobuar për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për integrimin euroatlantik.

Leave a Reply