Myftiu i Meshihatit të Luginës se Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe z/reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, falënderon popullin turk dhe qeverinë e tij, në krye me presidentin Erdogan, për ndihmat e ofruara në formë donacioni për qytetarët e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës.
Myftiu Saqipi, gjithashtu falënderon edhe Ambasadën e Republikës së Turqisë, të akredituar në Beograd për përkujdesjen që tregon për investime në këto komuna në jug të Serbisë, të cilat prej vitesh ballafaqohen me një prapambeturi ekonomike, moszhvillim, punësim dhe integrim.
“Populli vëlla turk dhe presidenti Erdogan, nuk e kanë harruar Luginën e Preshevës. Këtë e dëshmoj me fakte e argumente të investimeve të shumta në fushën infrastrukturore dhe bashkëpunimin e ndërsjellë kulturor e fetar. S’ka se si të mos na kujtohen projektet kapitale si ajo e godinës së re shkollore në Tërnoc e donacione të tjera me vlerë për përmirësimin e kushteve jetësore të qytetarëve në rajonin e Luginës”, shprehet me plot bindje Myftiu Saqipi për Jetapress.
Por, me kaq, nuk përfundojnë ndihmat turke për Luginën e Preshevës. “Për veç ndihmës nga shteti, aksionet e solidarësisë dhe bamirësisë shtrihen edhe te shumë firma si TIKA e donatorë të tjerë me origjinë nga Tërnoci me rrethinë, të cilët në forma të ndryshme ndihmojnë vëllezërit e tyre, në kulturë, arsim, infrastrukturë etj”, shprehet Myftiu Saqipi.
Stambolli, kryeqendra e Turqisë, gjithmonë i ka të hapura dyert për studentët shqiptarë, afaristët, tregtarët, turistët, madje edhe ata që kërkojnë ndihmën shëndetësore.
Vlen të ceket se Luginën e Preshevës me Turqinë e ofron edhe një lidhe e kaluar historike e cila nuk i ka shkëputur fijet e bashkëpunimit, duke llogaritur vizitat e përbashkëta dhe bashkëpunimin e sinqertë e vëllazëror në shumë sfera të veprimtarisë jetësore./Jetapress/