Vendet aleate kanë ofruar ndihmën e tyre për të asistuar në këtë operacion
Aleanca veriatlantike po përgatitet për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Ukrainë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stotelnberg tha se situata e sigurisë është tepër delikate çka ka detyruar aleancën të vendosë në gatishmëri anije ,avionë dhe trupa ushtarake. Një numër anëtarësh të organizatës ushtarake prej 30 vendesh kanë ofruar trupa dhe pajisje. NATO tha se Franca ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar trupa në Rumani dhe Holanda do të dërgojë dy avionë luftarakë F-35 në Bullgari. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë në tryezë planin për të rritur praninë ushtarake në kufijtë lindorë.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandër Grushko, dënoi veprimet e fundit të NATO-s. “Gjuha e NATO-s është një gjuhë e kërcënimeve dhe presioneve ushtarake. Kjo nuk është diçka e re“, tha ai për mediat ruse.
Aleanca po përgatit propozime për bisedime të mëtejshme me Rusinë pasi Kremlini lëshoi një sërë kërkesash përfshirë anëtarsimin e Ukrainës në NATO. Aleanca këmbëngul se nuk do të negociojë mbi parimet e saj, përfshirë mbrojtjen e të gjithë aleatëve dhe lejimin e partnerëve që të zgjedhin rrugën e tyre.