Stoltenberg: Kundër një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë
NATO ka përgjegjësinë për të parandaluar zgjerimin e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës përtej kufijve të Ukrainës dhe që të kthehet në një luftë të hapur mes Rusisë dhe NATO-s, tha Sekretari i Përgjithshem i Aleancës Veriatlantike Jens Stoltenberg në Forumin e Antalias.
Shefi i NATO-s e justifikoi refuzimin e aleancës për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë me rrezikun e një lufte që do të përfshinte kontinentin europian.
Një masë e tillë sipas Stoltenberg “do të thotë të jesh i përgatitur për të rrëzuar aeroplanët rusë” dhe kjo “pothuajse me siguri do të çonte në një luftë të hapur”. Stoltenberg tha se ndërtimi i korridoreve humanitare në Ukrainë për evakuimin e civilëve dhe ndihma për ta është “më e pakta” që mund të bëhej tani.
Shefi i NATO-s u shpreh se retorika bërthamore e presidentit rus Vladimir Putin ishte “e rrezikshme” dhe “e pamatur” dhe përsëriti se Aleanca nuk do të dërgonte trupa apo avionë në Ukrainë.
Stoltenberg i bëri thirrje edhe një herë Putinit që t’i japë fund kësaj lufte të çmendur dhe të gjejë “një zgjidhje politike“.