Ndarja territoriale, PD propozon 97 bashki

Bylykbashi: Kundër çdo pazari Alibeaj-Balla

Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend draftin për ndarjen e re territoriale që parashikon 97 bashki nga 61 që ka aktualisht. Nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi tha se në zgjedhjet e Majit duhet të shkohet me këtë ndarje të re territoriale.

“Propozimi ynë është që në zgjedhjet e ardhshme të bëhen mbi bazën e kësaj ndarje, të shkohet me 97 bashki.”

Ndonëse demokratët nuk arritën dot dakordësinë për të dalë me një draft të përbashkët, Bylykbashi  tha se me kolegët e grupit parlamentar mund të gjendej dakordësia gjatë procesit legjislativ, pasi sipas tij të dyja propozimet, si ai me 97 bashki, ashtu edhe varianti me 94 bashki i grupimit Alibeaj, në themel kanë interesin qytetar.

“Mundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët për një version final me 94 apo me 97 apo një numër të ngjashëm është aty sepse parimet dhe kriteret që kemi përdorur në aspektin e ekspertizës dhe konsultës kanë prodhuar të njëjtin rezultat.”

I pyetur në lidhje me negociatat  e nisura mes Enkelejd Alibeajt dhe Taulant Ballës për reformën territoriale, nënkryetari i demokratëve u shpreh prerazi se çdo ikje nga interesi qytetar nuk  do marrë votën e Partisë Demokratike në Kuvend.

“Nuk mundet që ndarja territoriale të jetë shkëmbim qoftë për vetingun apo për diçka tjetër. Asgjë që lëviz dukshëm nga propozimi ynë me 97 bashki apo 94 bashki nuk mund të marrë mbështetjen tonë.”

Por teksa në Kuvend, demokratët kanë depozituar dy nisma për ndarjen e re territoriale, socialistët duken të vendosur për të mos hequr dorë nga ndarja aktuale me 61 bashki.

Leave a Reply