Pse disa prindër ua mohojnë shqipen fëmijëve të tyre

Midis nesh

Ekziston një prirje e sëmurë për të ndjekur mënyrën e jetesës, sjelljet dhe modën e një klase, të një shtrese a të një grupi që mendohet si më i lartë e më i zgjedhur në një shoqëri me klasa shfrytëzuese, përkatësisht që është shije e sëmurë për t’i pëlqyer gjërat vetëm pse janë të huaja. E gjithë kjo ka një emërues dhe njihet si snobizëm, dukuri e cila, megjithatë, pas vetes lë pasoja që rëndë riparohen.
Duke dashur që t’i bëjnë të jashtëzakonshëm e të veçantë, shumë prindër (shqiptarë), fëmijët e tyre, akoma pa i mësuar fjalët e para në gjuhën amtare, dhunshëm i detyrojnë që ta mësojnë sidomos gjuhën angleze. Nuk kursejnë para për kurse dhe mjete tjera ndihmëse që si e si ta mësojnë anglishten, sepse janë të bindur se me këtë shtypje të pavetëdijshme fëmijëve të tyre u sigurojnë perspektivë dhe ardhmëri pa brenga.
Por, brengat e para të këtyre fëmijëve fillojnë që kur nisin t’i çojnë në kopshte, ku këta fëmijë duhet të mësojnë me fëmijë shqiptarë, të cilët nuk e dinë anglishten, pastaj kur ulen për herë të parë në bankat shkollore dhe kur fillojnë t’i mësojnë shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe. Natyrisht, këta prindër as që duan të dinë për problemet me të cilat do të përballen fëmijët e tyre. Për një çast, këtë fëmijë do të ndjehen shumë të vetmuar, sepse do të kenë vështirësi në komunikim me bashkëmoshatarët e tyre, do ta kenë shumë vështirë t’i mësojnë fjalët shqipe dhe, fatkeqësisht, do të mbeten shumë mbrapa, thjeshtë për shkak të prindërve të tyre snobë.
Sot janë të shumtë fëmijët shqiptarë që midis vete komunikojnë anglisht dhe kjo, nga ana e prindërve, përjetohet me krenari të madhe. Sot ka shumë prindër që ua mohojnë gjuhën amtare fëmijëve të tyre dhe këta prindër nuk e kuptojnë se me këtë qasje fëmijët e tyre do të ngelin në gjysmë të rrugës: pa e njohur shqipen ashtu siç duhet, pa e mësuar historinë shqiptare, pa e njohur letërsinë shqiptare, pa e njohur folklorin shqiptar, epikën shqiptare dhe përgjithësisht pasurinë shpirtërore shqiptare.
Nuk funksionon formula: anglez në mjedis puro shqiptar. Pos kësaj, te çdo popull ekziston një rend i natyrshëm: së pari mësohet gjuha amtare e pastaj nuk të ikën asnjë gjuhë, e cila, gjithsesi, mësohet më lehtë. Prindërit e këtyre fëmijëve duhet thjeshtë ta mendojnë një gjë: po prindërit anglez, mos vallë veprojnë si prindërit snob shqiptarë? Asnjë prind me logjikë të shëndoshë nuk do ta dëmtonte aq brutalisht fëmijën e vet. Por, ja që kështu nuk mendojnë ata “prindër intelektualë”, të cilëve mendja u është bërë top se nuk ka leverdi nga gjuha amtare, ndaj duhet zgjedhur gjuhën të cilën e “flet bota”.
Kanë thënë: shenjat e civilizimit të një populli janë si kujdeset ai për drunjtë e tij, si kujdeset ai për fëmijët dhe pleqtë dhe si sillet ai me gjuhën e tij. Kurse gjuhëtari ynë i shquar Eqrem Çabej ka dhënë këtë vlerësim: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”./HEJZA/

Leave a Reply