KOHA E DILETANTËVE!

Shoqëria shqiptare gjithandej është përplot me diletantë, të cilët jo vetëm që kanë ambicie të sëmura, por edhe janë të bindur se janë pikërisht ata të zgjedhur për ta marrë në dorë fatin e kombit. Ndonëse pa ndërgjegje dhe pa dije elementare, injoranca që moti ua ka vrarë njerëzoren, duke ua ushqyer djallëzoren. Ata nuk synojnë vlerat, por interesin…Angazhimi i vetëm i tyre publik janë drekat e darkat nëpër restorante, të cilat pa fije turpi i dëshmojnë nëpër profilet e tyre të rrjeteve sociale. Tek ta nuk depërton as zëri që vjen nga tragjedia e shekujve, si një mësim për një të ardhme me dinjitet që do të manifestohej, midis të tjerave, edhe përmes kulturës, si një veçori që i bën të dallueshëm (në aspektin pozitiv) popujt e ndryshëm, përkatësisht të gjithë ata (artistët) që i japin përmbajtje vlerave shpirtërore. Është edhe një fakt, të cilin sado që mundohemi ta kamuflojmë, megjithatë akoma është prezent: idetë komuniste, si ide arketipa të platformave mendore të tyre, assesi nuk munden të ambientohen në rrethanat e reja pas-komuniste, edhe pas kanë kaluar më shumë se tre dekada (akademitë shqiptare).
Çlirimi i mendjes së robëruar nga “hipnoza” e gjatë komuniste, megjithatë është një proces i vështirë, pavarësisht se në përditshmëri përballemi edhe me ide mashtruese magjike, të cilat ide paraqiten si shtylla kryesore të indit kombëtar. Koncepti i tillë joshës dhe transcendental, edhe pse nuk është e dukshme, shkakton dhimbje të shumta, por që në fakt, për shkak të gjendjes hipnotizuese, janë të shumtë që fare nuk u ndjenë, edhe në momentet kur intervenimet kirurgjikale në indin shqiptar bëhen pa anestezion. Koha e diletantëve edhe në kulturën shqiptare duhet të marrë fund, aq më tepër tani kur filluan negociatat me BE, negociata të cilat gjithsesi do të jenë të rënda dhe që kërkojnë një qasje të re ndaj gjithçka që i karakterizon vlerat evropiane. Prandaj, në radhët e para të këtij angazhimi shumë delikat, duhet të qëndrojnë ata që kanë njohuri të thella dhe jo diletantët me shpirt të korruptuar.
Në këtë drejtim, një qasje e re do të imponohet edhe në raport me kulturën, një qasje që do të jetë shumë e vështirë dhe me shumë të panjohura për rrethanat tona. Qasja amatore, duam apo nuk duam ne, do të marrë fund dhe nevoja për një profesionalizëm do të jetë imediate. Në këtë rrugëtim (drejt BE) fillimisht, gjithsesi do të mungojnë ata që janë kompetentë në lëmin e kulturës, sepse deri më tani gjithçka është bërë me militantë partiakë që në fakt kanë qenë amatorë të dështuar. Por, shpresojmë se me kohë, duke mësuar nga dështimet, do t’ia dalim që të ndryshojmë edhe në mentalitet dhe do të kuptojmë se kultura është ajo që na bën të veçantë…
/ HEJZA/

Leave a Reply