Eventet e lojës “hedhje hi syve”

Shaqir Fetai kërkon dhe stimulon incidente me pasoja tragjike vetëm e vetëm që të defokusohet vëmendja nga skandali i turpshëm i “akreditimit” të Medresesë

Nga Valbon Osmani

Shaqir Fetai ky farë instalacioni i turpshëm në krye të BFI-së nga subjektet politike të dëshmuara antiislame, paska marrur pjesë në një event në Myftininë e Tetovës! Akoma pa e sqaruar situatën, akoma pa e definuar se kush është myfti i Tetovës dhe ku është selia zyrtare e kësaj myftinie, Shaqir Fetai organizon evente në këtë territor dhe futet aty, si “triumfalist” nën përcjelljen e një “togu zyrtar” njerëzish të armatosur deri në dhëmbë me të vetmin qëllim që të provokojë eskalim të situatës dhe të defokusohet qoftë edhe për një çast vëmendja nga skandali i turpshëm i mbylljes së Medresesë tradicionale si SHKOLLË E MESME ISLAME! Shaqir Fetai e provokon edhe ndonjë situatë që t’i tekërlitet shalli e të turpërohet skajshmërisht, sepse, e di që vetëm kësisoj do ta përjetojë “mëshirën” eventuale të masës dhe nën këtë “mëshirë” do ta gëzojë përfundimisht “përkrahjen” e myslimanëve të vendit! Pra, Shaqir Fetai e ëndërron një shuplakë e një tëkërlitje të shallit në këmbim të një “mirëkuptimi popullor”.
Shaqir Fetai merr pjesë me krejt suitën e vet qesharake në një event përgatitur nga medesantet e Tetovës; merr pjesë me “profesorë”, me “akademikë”, me anëtarë të “rijasetit” të vet dhe, tërë kjo tufë “ulemashë” promovon eventit e titulluar “ARTET E BUKURA”, titull ky i denjë ekskluzivisht për një institucion që enkas merret me artet e bukura! Ta titulloshë ekspozitën e veprave të medresanteve me titull “Artet e bukura”, duhet të jeshë ose skajshmërisht pretendues naiv ose terësisht injorant! Ekspozitat gjithnjë kanë një emërtim simbolik që del nga lajtmotivi i trajtuar në vepra artistike, si në pikturë, skulpturë, grafikë, kollazh etj. Është e njëjtë sikur një përmbledhje me poezi t’ia vëshë titullin “Artet e bukura”!
Dakord, marin pjesë Shaqir Fetai me myhybtë e tij në një event për të cilin nuk mund të shprehin qoftë vetëm një fjali estetike! Nisë fjalën Shaqir Fetai, i cili e rrumbullakson duke i përshëndetur të gjithë shoqëruesit e vet, me emër e mbiemër, pastaj e merr fjalën drejtori i emëruar dhunshëm i Medresesë, i cili, edhe ky nis fjalinë duke e përshëndetur “reisul ulemanë” Shaqir Fetain, si dhe të gjithë, me emër e mbiemër, shoqëruesit e ”reisit”, pastaj merr fjalën myftiu, viktimë e interesave meskine të Shaqir Fetait dhe, edhe ky e rrumbullakson fjalimin duke e përshëndetur “reisin” si dhe të gjithë të tjerët, me emër e mbiemër, që e kan shoqërur “reisin”, i cili bukvalisht i dhunon duke i detyruar që të marrin pjesë aty ku është vetë ai! Asnjë fjalim recensues mbi veprat e mrekullueshme të nxënësve të Medresesë! Asnjë vlerësim eseistik, asnjë kritikë përkrahëse! Asnjë fjalë profesionale mbi këtë traditë kaq fisnike për ekspozimin e veprave artistike të medresanteve tona! Vetëm përshëndetje dhe urime (mbase për intriga) për myhybët e Shaqir Fetahit, i cili duhet të “madhërohet” madje edhe aty ku nuk është as vendi e as kuvendi! “Madhërimi” i Shaqir Fetait është poshtrim i shoqërisë sonë, është reflektim i injorancës totale i atyreve që e parapëlqejnë nënshtrimin. Ta “madhëroshë” Shaqir Fetain nëpër “evente” do të thotë tallje me të VËRTETËN E MADHE!
Si përfundim, nga fjalimi idiotik i Shaqir Fetait del puna se ai ka nevojë për ta dëshmar BDI-zimin e Bashkësisë Fetare Islame, ka nevojë për ta theksuar kontributin e kësaj partie në “akreditim” të Medresesë! Mbi të gjitha, ka nevojë për ta justifikuar përqafimin politik të mbylljes së Medresesë tradicionale. Ai do ta theksojë gjithnjë e më shumë këtë “akreditim” të rrejshëm, sepse një ditë, kur do të zbresë me këmbë në tokë, do të duhet t’i përgjigjet pyetjes: po pse na rrejte o mahluk! Përgjigja do të jetë: “po unë kam qenë i sigurtë se është akredituar, nuk e kam ditur se më kanë mashtruar këta të BDI-së! Rrenë më kanë thënë, rrenë ju kam thënë”! Tamam si Nasradin Hoxha!
Shaqir Fetai po përpiqet të rrejë dhe ta mashtrojë opinionin me këtë “mashtrim të BDI-së”, sepse e vërteta është shumë açik! Si ditën kur ia ka dorëzuar “akreditimin” kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, si ditën tjetër kur i shkoi në zyre Artan Grubi për t’ia dhënë “çertifikatën”, i kanë thënë shumë mirë: duhet të themelohet shkolla publiko-private gjimnazi “Medresja Isa Beu”! Pra, mbyllet Medresja aktuale, tradicionale, themelohet gjimnazi (që nuk titullohet SHKOLLA E MESME ISLAME) dhe, pastaj do të miratohet plan-programi në harmoni me plan-programet e shkollave të mesme shtetërore ku, eventualisht, do të mund të mësohen dy-tri lëndë fakultative “islame”! Ja pra çfarë “medrese” na ka akredituar Shaqir Fetai! Në takimin e dytë iu dha “çertifikata e verfikimit të njohurive” që do të merren në gjimnazin e sapothemeluar! E kush do ta verifikojë këtë dituri? Ministria e arsimit? Komisionet e BDI-së? Prandaj duhet të ndihmohet BDI, sepse do të na ngelin në provim komisionet e partisë – ky është mesazhi i Shaqir Fetait që do të përcillet këto ditë sa herë që do të prezantojë nëpër “evente” naive!
Shaqir Fetai nuk guxon që edhe më tej të përpiqet ta manipulojë opinionin duke shkruar e rishkruar, duke përmirësuar e duke censuruar lajme nëpër paçavurat e tij mbi “akreditimin” e Medresesë! Në vend të këtyre “përpjekjeve titanike” Shaqir Fetai do të bënte mirë që ta publikojë dokumentin origjinal dhe zyrtar mbi “akreditimin” dhe të na tregojë se cila është strategjia e tij nëse kryeministri i radhës dhe ministrat e arimit, por dhe dekanët e fakulteteve do të refuzojnë që ta vënë në zbatim një vendim të “kryeministrit” teknik i cili na u tregu edhe një herë pehlivan mu në fushatë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare!
Në fund të komunikatës së Shaqir Fetait me rastin e pjesëmarrjes së tij në ekspoziitën “Artet e bukura”, ai thotë: “Në fund të programit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetait, drejtorit të Medresesë si dhe Muftiut të Tetovës nga ana e drejtorisë së SHMI Medreseja Isa Beu, paralelja e vajzave – Tetovë, iu nda nga një eksponatë (çka nënkupton injoranti me këtë fjalë?!) të përgaditur enkas nga nxënëset e po kësaj shkolle.” Po shoqëruesve të tjerë të Shaqir Fetait, myftinjë e drejtorë të tij?! Ku mbeti këtu morali të cilin po e mbështetkëka kaq shumë BFI-ja e Shaqir Fetait? Gjithçka imorale dhe dilentantizëm!

Leave a Reply