Siguria e kufijve të BE-së, Tusk i kërkon Gjermanisë të bëjë më shumë

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk i kërkon Gjermanisë të bëjë më shumë për sigurinë e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian tani, në mesin e krizës së refugjatëve, që e ka vënë bllokun nën një presion të madh.

Përpara takimit me Kancelaren Angela Merkel në Berlin, ish-kryeministri polak i bëri thirrje ekzekutivit gjerman të tregohet më aktiv në këtë situatë, duke marrë një rol drejtues. Lajmin e përcjell gazeta “Welt Am Sonntag”, e cila sqaron në artikullin e saj se, Tusk ka për Merkelin një mesazh të qartë: nevojat e BE-së sa i takon sigurisë mund të jenë të ndryshme nga ato të gjermanëve.

Tusk citohet të thotë gjithashtu se, “e kuptoj nëse Gjermania, për arsye historike, e ka të vështirë të implementojë një regjim të rreptë në kufijtë e saj. Por, përgjegjësia që udhëheqësia gjermane ka ndaj Bashkimit Europian i kërkon të mbrojë edhe kufijtë e jashtëm të tij, ashtu siç e dikton uniteti paneuropian”.

Tusk nuk i kurseu sidoqoftë lavdërimet në lidhje me gatishmërinë e qeverisë gjermane për të pranuar me qindra e mijëra emigrantë. Këtë veprim të Berlinit zyrtar, ai e përshkroi si “më liberalin dhe tolerantin në historinë e Europës”.

Angela Merkel përballet me një trysni të madhe, duke filluar nga shtetet e Europës Lindore deri në Bruksel, të cilët i kërkojnë të përqëndrohet më shumë te nevoja e forcimit të kufijve të jashtëm të bllokut 28 anëtarësh, e të mos fokusohet vetëm te pritja dhe sistemimi i refugjatëve.

758 mijë azilkërkuesve janë dyndur në Gjermani nga janari deri në tetorin e këtij viti, çfarë i solli Merkelit jo pak telashe politike, përfshirë përplasjen me kreun e CSU-së, partnere të koalicionit qeverisës, Horst Seehofer.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian pritet të marrin pjesë në një samit të pestë të mërkurën, mbi krizën e emigrantëve pas konferencës së Maltës dhe, në diskutimet që do të fokusohen padyshim tek emigracioni, vend qendror pritet të zërë implementimi i skemës së shpërndarjes së 160 mijë refugjatëve, si dhe rritja e bashkëpunimit me Turqinë.

Leave a Reply