Politika ndërkombëtare është fokusuar në Bjellorusi për shkak të krizës së krijuar pas zgjedhjeve presidenciale, kur fitoi si gjithmonë që prej 26 vitesh Alexandr Lukashenko. Ai është referuar në media si “Diktatori i fundit i Europës” pasi qëndron prej kohësh në pushtet dhe mesa duket nuk ka ndërmend të heqë dorë së shpejti.
Në Bjellorusi prej javësh organizohen protesta për zhvillimin edhe njëherë të zgjedhjeve. Liderja e opozitës është larguar nga vendi për shkak të frikës se mund të vritej, ndërsa disa protestues kanë humbur jetën. Megjithatë Lukashenko nuk po ndalet. Ai i ka quajtur më parë ndjekësit e opozitës dele, ndërsa tashmë ka vënë tërë shtetin në funksion të tij për të përndjekur ata që e kundërshtojnë.
Por kush është 65-vjeçari Alexandr Lukashenko?
“Lukashenko ka ardhur direkt nga kasta qendrore komuniste. Ai është një lider autoritar tipik, i cili duket se ka ngecur në një kohë tjetër dhe refuzon të ndryshojë edhe pse bota vijon modernizimin”. Është ky përcaktimi që i ka dhënë Brett Bruen, një ish-diplomat amerikan. Për Fox News ai ka deklaruar se Lukashenko përdor median kundër kritikëve të tij. Politikanët opozitarë arrestohen dhe ndalohen të punojnë në zyra publike. “Ndonjëherë rrihen nga vetë policia publikisht”, tregon diplomati.
Lukashenko ka dominuar vendin që prej vitit 1994. Ai e mori pushtetin pak pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1992-shin. 65-vjeçari ka krijuar prej çerek shekulli në shtetin me 9 milionë banorë kultin e individit. Ai njihet për karizmën, mustaqet, egocentrizmin dhe vetëpromovimin si një “njeri i popullit”.
Gjatë kohës sovjetike, Lukashenko drejtoi një fermë shtetërore dhe njihej me pseudonimin “Batka”, që në gjuhën vendase do të thotë baba. Qëllimi i tij ishte që të krijonte imazhin e një njeriu që kujdesej për njerëzit e Bjellorusisë, kafshët, agrikulturën dhe industrinë e vendit. Megjithatë kjo bie në kundërshtim me vetë Lukashenkon, pasi Presidenti bjellorus gjatë gjithë kohës ka pasur një qasje autoritare ndaj opozitës duke burgosur dhe herë pas here “zhdukur” liderët e saj pa asnjë gjurmë.
Lukashenko ka përdorur shërbimin sekret të vendit për të arritur gjithçka donte. Ndër vite ai ka ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet e referendumit vetëm e vetëm që të qëndronte në pushtet. Të shash Presidentin në Bjellorusi është krim dhe dënohet rëndë, deri në 5 vjet burg. Edhe kritikat ndaj Bjellorusisë jashtë vendit janë të dënueshme deri në 2 vite burg. Kjo ka bërë që shumë njerëz të dalin në protesta dhe të kërkojnë ndryshimin.
“Gjatë 26 viteve në pushtet, ai drejtoi gjashtë zgjedhje presidenciale, ku asnjëra prej tyre nuk u pranua si e drejtë apo nën standardet ndërkombëtare. Ai ka krijuar një parlament kukull pa opozitë në të”, ka deklaruar Sofya Orlosky nga Freedom House. Sipas saj ligjet atje kanë kaluar sipas dëshirës dhe mundësia e gazetarëve për të raportuar siç duhet është ulur ndjeshëm gjatë viteve duke e bërë të pamundur organizmin e shoqërisë civile.
Jeta personale e Lukashenkos është gjithashtu në qendër të vëmendjes. Ai është martuar me Galinkën. Mirëpo ajo jeton jashtë vëmendjes së mediave, në një fermë larg kryeqytetit, larg syrit të publikut. Ndërkohë lideri herë pas herë është parë me një modele 20-vjeçare. Në biografinë e tij, Lukashenko thotë që nuk ka qenë pjesë e Partisë Komuniste apo e qeverisë. Ai u zgjodh në krye të Presidencës së Republikës së Bjellorusisë për herë të parë më 10 Korrik 1994. Në 2001-shin, 2006-n dhe 2010-në, ai është rizgjedhur sërish dhe asnjëherë nën 75 % të votave.
Mbetet në pyetje se sa gjatë mund ta mbajë Lukashenko pushtetin. Megjithatë të gjithë e dinë që ai nuk heq dorë kollaj, prandaj së fundmi ka kërkuar ndihmë nga Rusia për mbështetje ushtarake nëse është e nevojshme. Sipas mediave, Vladimir Putin dhe Lukashenko kanë folur disa herë gjatë javës së kaluar, ndërkohë që në të shkuarën njihen për pasionin e tyre ndaj hokejit dhe sporteve të tjera kombëtare.
Putinit i intereson që Lukashenko të qëndrojë në pushtet pasi kështu fut në telashe NATO-n ndërkohë që merr pak nga pak territorin e Bjellorusisë. Ndërkohë marrëdhëniet e Lukashenkos me NATO-n kanë qenë prej kohësh të diskutueshme. Që prej zgjedhjeve të diskutueshme, Lukashenko ka mbyllur kufirin që të mos hyjnë forca të huaja.
“Trupat e NATO-s janë tek portat tona”, ka deklaruar ai nëpërmjet medias shtetërore. Në këtë lojë, NATO nuk mbetet mbrapa teksa ka filluar të “monitorojë me kujdes” situatën. Megjithatë Aleanca mohon të ketë ndërhyrje ushtarake në kufirin perëndimor të Bjellorusisë. E gjithë bota demokratike nuk i ka njohur zgjedhjet në Bjellorusi. SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania etj., një zëri kanë deklaruar se populli bjellorus meriton demokraci.
OSBE-ja që drejtohet nga Shqipëria është ofruar të dialogojë mes palëve. Megjithatë edhe pse shtetet perëndimore mbeten pro, është Rusia që ka kërkuar që kriza të zgjidhet nga palët brenda vendit. Sipas Freedom House në situatën aktuale nuk ka shumë opsione për Lukashenkon.
“Ai mund t’i kërkojë Putinit që të rrisë shërbimet e sigurisë, por kjo do të zemërojë më shumë popullin bjellorus. E dyta është që ai mund të njohë kërkesat e njerëzve dhe të dorëhiqet ose të njohë zgjedhjet si të pavlefshme”, thotë Freedom House.
Kjo e fundit duket më e vështirë për t’u realizuar, ku sipas mediave ndërkombëtare do të duhet presion i fortë ndërkombëtar që Lukashenko të heqë dorë nga pushteti i tij./tvklan.al