Në bazë të të dhënave nga raporti i Ministrisë së Shoqërisë Informative në vitin 2019, në Maqedoninë e Veriut veprojnë 14 institucione të cilat nuk kanë asnjë të punësuar apo drejtues të institucionit.
Problem mbetet se edhe pse këto institucione janë të mbyllura dhe nuk kanë të punësuar, thithin mjete nga buxheti i pushtetit qendror apo atij lokal.
Një nga ata është dhe shtëpia e studentëve “Done Bozhinovski” në Probishtit, qytet ky në juglindje të vendit, e cila është mbyllur pasi nuk ka pasur asnjë nxënës apo student të interesuar për të qëndruar në të.
Megjithatë, edhe pse ky institucion është mbyllur, në bazë të të dhënave të veglës “Financa të hapura” nga arka e komunës gjatë vitit të kaluar në llogarinë e këtij institucioni janë transferuar 9 mijë e 500 euro.
Edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, institucion ky që në bazë të të dhënave të Ministrisë së Shoqërisë Informative vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë të punësuar, i janë transferuar honorarë për 7 përkthyes në vlerë prej 200 deri në 500 euro.
Pa asnjë të punësuar është dhe Komisioni shtetëror për mbrojtje nga diskriminimi, pasi deputetët nuk arritën ujdi për dy vite që të zgjedhin anëtarët e komisionit në fjalë.
Po ashtu, pa asnjë të punësuar janë dhe dy institucionet e formuara nga komuna e Shtipit dhe ajo e Prilepit, “ENEGRO Shtip” dhe “ENEGRO Prilep”, të cilat është dashur të projektojnë studime për rrjedhën e trajektoreve të gazit natyror, që do të furnizojë këto dy komuna.
Në Maqedoninë e Veriut si “fantom institucion” ka vepruar dhe Agjencia Kombëtare për Teknologji Nukleare e formuar në vitin 2010, e cila në bazë të dokumentacionit pë themelimin e këtij institucioni kishte për qëllim për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet relevante.
Në bazë të raportit të Ministrisë së Shoqërisë Informative, janë regjistruar 10 institucione që kanë vetëm një të punësuar, përkatësisht drejtuesin e këtij institucioni, ndërkohë që 150 institucione të cilat thithin mjete nga buxheti i shtetit kanë nga 1 deri në 10 të punësuar.
Zëvendëskryeministri i ngarkuar për luftën kundër korrupsionit Lupço Nikollovski, tha se në vend ekzistojnë shumë institucione të cilat janë jofunksionale.
Nikolloski ka theksuar se më në fund duhet të vendoset një rend në të gjitha institucionet, me atë që institucionet për të cilat nuk ka nevoja të mos ekzistojnë fare.
“Do t’i përforcojmë institucionet atje ku ka nevojë. Mund të shuhen shumë institucione ose disa të mos funksionojnë fare. Për shembull “Agro Berza” si ndërmarrje publike për menaxhimin e objekteve sportive të cilat nuk funksionojnë. Kemi një grumbull të institucioneve të tilla të cilat nuk funksionojnë dhe unë do të angazhohem të shuhen”, ka theksuar Nikollovski.
Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, sapo ka marrë besimin të drejtojë këtë dikaster, është zotuar se do të angazhohet për hartimin e një analize të thuktë për racionalizimin e institucioneve të shtetit, në mënyrë që ata më pak të thithin mjete nga buxheti i shtetit dhe njëkohësisht të ofrojnë shërbime më cilësore për qytetarët në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian për reformimin e administratës shtetërore.
Por, Borçe Davitkovski, ekspert për çështje të administratës, thotë se është mëse e nevojshme filtrimi i punës dhe funksionimit të institucioneve të shtetit për punën dhe shërbimet që realizojnë.
“Nëse dëshirojmë të bëjmë reforma thelbësore në administratën publike, përkatësisht funksionimit të institucioneve shtetërore, fillimisht nevojitet të bëhet një analizë funksionale përkatësisht të përcaktohet qartë se ku përputhen kompetencat e shumë organeve shtetërore ose atyre publike dhe në bazë të kësaj analize do të bëhet e qartë se cilat institucione i kanë të dyfishuara apo u trefishohen kompetencat dhe aty duhet të bëhen prerje të thella. Por, për këtë nevojitet vullnet politik”, thotë Davitkovski.
Nga ana tjetër, Juliana Karai, nga Instituti për Politika Evropiane, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedoninë e Veriut në procesin e përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane tani pas fillimit të bisedimeve e pret një punë shumë e vështirë, sepse kriteret për funksionimin e administratës shtetërore janë qartë të definuara.
“Komisioni Evropian angazhohet për ristrukturimin e administratës për t’u bërë ajo më efikase, me performanca të tilla që të jetë në funksion të qytetarëve, duke pasur për bazë gjithmonë llogaridhënien|, tha ajo.
Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës, në Maqedoninë e Veriut ka 1 mijë e 324 institucione publike ku janë të punësuar 132 mijë e 900 administratorë.
Në bazë të këtyre të dhënave, 1 mijë e 300 administratorë të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit marrin paga pa shkuar në punë pasi ata edhe kundrejt deklarimeve të zyrtarëve të lartë me vite mbeten të pasistemuar në institucionet e shtetit./REL/