Nga data 1 nëntor, Australia ka vendosur të hapë kufijtë. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Scott Morrison, 18 muaj, pasi australianëve iu ndalua udhëtimi jashtë vendit për shkak të kufizimeve të pandemisë së covid-19.
Sipas Morrison, ata australianë që janë vaksinuar kundër covid-19 do të jenë në gjendje të udhëtojnë jashtë Australisë në javët e ardhshme, pasi 80% e popullsisë të jetë e imunizuar.
“Ka ardhur koha për t’u kthyer australianëve jetën e tyre. Ne shpëtuam jetë. Ne kemi kursyer pasuri, por duhet të punojmë së bashku për të siguruar që australianët të kthehen në jetën që kishin dikur. Ne jemi duke u përgatitur për këtë dhe Australia do të jetë gati të nisë shumë shpejt”, tha Morrison në një konferencë shtypi.
Kryeministri australian shpjegoi se ata që kthehen nga jashtë në Australi duhet të vendosen në karantinë për shtatë ditë, në shtëpi, dhe jo siç ndodh aktualisht për 14 ditë në një hotel.
Australia mbylli kufijtë e saj në 20 Mars 2020, duke miratuar disa nga kufizimet më të vështira në botë për të frenuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit.
Gjatë 560 ditëve që kanë kaluar shumica e fluturimeve ndërkombëtare u anuluan dhe udhëtimet jashtë vendit u reduktuan në minimum. Vetëm një numër i kufizuar njerëzish janë lejuar të udhëtojnë jashtë vendit për arsye serioze biznesi ose humanitare.
Sipas Home Office, më shumë se 100,000 aplikime për të hyrë ose për të dalë nga vendi janë refuzuar vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2021.
Autoritetet kanë lejuar qytetarët dhe banorët australianë të kthehen në vend, por nën kuota të rrepta, për të qëndruar në karantinë në një hotel për 14 ditë duke përfshirë koston.