Në pritje të kohës për manipulim “pa pasoja”

Dikur, në Lagjen e Seravës, në Çair të Shkupit, ishte një prej depove të tërë makinerisë së ndërmarrjes së “Higjienës Komunale” të Shkupit! Ishte lagja më e qelbur, më e ndotur, më e kontaminuar, ishte “parkingu” i kamionëve të plehërave të Shkupit, ndërmarrje kjo që shtrihej mbi tokën e uzurpuar e të nacionalizuar që dikur ishte pronë e BFI-së. Po sot, pronë e kujt është ky vakëf

 

Shkruan Nebahat Osmani

 

Pas ligjit për denacionalizim të pronave të bashkësive fetare, pa rrreshtur është punuar nga ana e ish-reisul ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi për ta marrur këtë pronë, sidomos pas dislokimit të kësaj Ndërmarrje në të tjera hapësira! Falë edhe kontributit të jashtëzakonshëm të ish-drejtorit të kësaj Ndërmarrje, z. Rakip Doçit, H. Sulejman ef. Rexhepi arriti që këtë pronë sërish ta rikthejë në Vakëfin e BFI-së.
Pati lloj-lloj ofertash, pati lloj-lloj bisnesmenësh, lloj-lloj përpjekje për dallavera e mallverzime, për lojëra të dyta partiake e intriga matrapazësh, kryesisht të udhëhequr nga kryehajni i BFI-së, Mustafa Dauti, për ta manipuluar Sulejman ef. Rexhepin dhe për t’ia zhvatur këtë pronë ideale për bisnese të ndryshme. Më në fund, u ofrua i ndjeri Enver Maliqi dhe, u dakortësuan me Sulejman ef. Rexhepin dhe, nisën punës së hajrit duke inkuadruar këtu edhe partnerin e GEMAK-ut, “Rajana Inxhiniering”, me pronar Vegim Etemi!
Natyrisht, janë nënshkruar marrëveshjet, ato ekzistojnë, ndonëse tashmë njëra palë (Enver Maliqi) është bërë për rahmet, e pala tjetër (H. Sulejman ef. Rexhepi) është dorëhequr nga BFI-ja! Në këtë projekt, është kyqur edhe njëra palë mjaft serioze dhe me renome ndërkombëtare në ndërtimtari, të cilës si ushujzë i është ngjitur sërish kryehajni i BFI-së, Mustafa Dauti, i cili madje, ka provuar edhe të manipulojë njerëz dhe t’ju shesë banesa (madje edhe punëtorëve të BFI-së)! Prej nga ato banesa Mustafa Dauti?
Sido qoftë, më 2 tetor të vitit 2019 kanë filluar punët në këtë pronë të vakëfit! Hidhet guri themeltar i godinës së parë të një kompleksi ndërtesash! Sulejman Rexhepi, në prani të shumë mediave elektronike dhe të shkruar, hedh gurin themeltar të Hotelit me pesë yje “ISRA”, e cila do të duhej të ishte pronë e vakëf i BFI-së, objekt i parë që do të ndërtohej nga investitorët dhe, pasi të liheshin çelësat e hotelit në “dorën” e BFI-së, tek atëherë, investitori GEMAK në partneritet me RAJANA INXHINIERING, do të mund të fillonin ndërtimin e kompleksit prej pesë ndërtesave për banim si dhe të objekteve të tjera sipas projektit që do të shtrihej në tërë tashmë ish-pronën e Vakëfit të BFI-së-Myftinisë së Shkupit.
Hoteli “Isra” do të duhej të ishte shtatëkatëshe, me sipërfaqe prej 5.350 m2, me pesë yje.
Në vënien e gurit themeltar morën pjesë Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, myftiu i Shkupit Qenan ef. Ismaili, i Tetovës Qani ef. Nesimi dhe i Gostivarit Shaqir ef. Fetahu, dekani i FSHI, Shaban ef. Sulejmani, drejtori i Medresesë Isa Beu Ibrahim ef. Idrizi. Po ashtu, gjatë ceremonisë së hedhjes së gurthemelit të këtij Hoteli prezent ishin edhe Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti etj.
Vegim Etemi, pronari i firmës “Rajana Inxhiniering”, bashkëinvestitorë me GEMAK, në fjalën e tij të rastit kishte thënë se investimi i këtillë është i pari në RMV. Me këtë investim do të bëhet urbanizimi dhe modernizimi i lagjes Seravë, gjithnjë me qëllim që jetesa e banorëve këtu të bëhet më e lehtë, ndryshe prej më parë, kur këtu, në vakëfin e BFI-së, ka qenë firma “Komunalec”.
Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, fjalën e tij përshëndetëse veç tëtjerash ka përshëndetur dhe ka falënderuar në veçanti firmën “Rajana Inxhiniering” për marrëveshjen e arritur, pastaj Komunën e Çairit për dokumentacionin e dorëzuar në kohë. Reis’ul-Ulemaja gjithashtu ka shpjeguar se të ardhurat që do të sigurohen nga ky hotel do të shfrytëzohen në procesin edukativo-arsimor të BFI-së. Hotel “Isra”, sipas marrëveshjs, do të ndërtohet për një kohë relativisht të shkurtër, ka përfunduar efendi Rexhepi.
Sot, pas dy vite e gjysëm punë, a ia bën kush llafin këtij Hoteli në BFI?
A u bë Hoteli?
A filloi të gjenerojë të ardhura për Medresenë?
Çka u bë me këtë hotel?
Ku ngeli Vakëfi i BFI-së?
Si u bë që në vend të Myftinisë së Shkupit, përfitues të dalë Mustafa Dauti, kryehajni i BFI-së, njeriu kyç në kabinetin e kryematrapazit të BFI-së, Shaqir Fetait!
Si është e mundur që të tjetërsohet prona, me çfarë vendimi, me çfarë nënshkrimesh dhe kush ka nënshkruar në diçka që fillimisht nuk ka qenë marrrëveshje!?
Sot, dëgjohen reklama nëpër radio e televizione se, në ish-Komunalec, në pronën e BFI-së, në Seravë të Çairit, të gjithë të interesuarit për banesë mund të paraqiten sa më parë, sepse në përfundim e sipër është kompleksi me pesë banesa, me hotel spa e me qendra tregëtare, me pamje të lagjeve evropiane – Premium Rezidence!
Do me thënë, hoteli na del pjesë përbërëse e këtij kompleksi dhe jo Pronë-vakëf i BFI-së, e cila do të dilte si kontribuesja më e madhe në financimin e Medresesë “Isa Beu”!
Në vend se të përfundojë Hoteli “Isra” e pastaj kompleksi i ndërtesave për banim në një “lagje everopiane”, ka ndodhur e kundërta!
Kush e lejoi këtë punë?
Kush mbanë përgjegjësi për humbje të të hyrave që është dashur të vijnë nga Hoteli “Isra”!
Në bazë të çfarë vendimi, në cilën mbledhje, me çfarë dokumenti, u leju që të kryhet kompeksi i banesave dhe, mbase pastaj, pasi të shiten banesat, të ndërtohet eventualisht ndonjë hotel dhe “të dhurohet” për vakëf!
Opinioni mysliman i vendit insiston të dijë që, për këtë që po ndodhë, a është në dijeni të Myftinisë së Shkupit?
A po ndodhë me dijen dhe me lejen e “myftiut” të përgjumur Qenan Ismailit?
Aka dijeni kjo Myftini dhe Qenan Ismaili se çka po ndodhë?
A i intereson vakëfi i Myftinisë apo jo!
Pse nuk e bën punën transparente, të dijë populli mysliman se si harxhohet amaneti i tyre, si menaxhohet, si shpenzohet amaneti i tyre!
Të paktën të jenë transparent ngjashëm si “investitori”, i cili, në faqen zyrtare të “Premium residence” nënvizon: “Bëhet fjalë për Premium Residence, një koncept avangard i jetesës, që ka bërë bashkë eskpertët dhe inxhinierët më të mirë të GEMAK, të dëshmuar tashmë në stilin dhe kualitetin e ndërtimit edhe me projekte të tjera si Park Hotel & SPA, Park Residence dhe së fundmi me investimin më të ri në fushën e hotelerisë, Next Door Park Hotel. Ku në partneritet me Rajana Engineering dhe Shuki Immobilier kompani ndërtuese edhe në Evropë me projekte unike, sjellin Premium Residence në Shkup.
I vendosur në qendër të qytetit të Shkupit, në zonën Çair, kompleksi Preimum Residence, si asnjë projekt tjetër, ka kombinuar me kujdesin maksimal elementet më të rëndësishme, të një jete të qetë rrethuar me cilësi dhe përsosmëri, deri në detajin më të vogël.
Kompleksi ka 5 objekte banimi, secila unike në projektimin e saj dhe të bashkuara në konceptin e ekluzivitetit, për plot 450 familje.”
Asgjë më tepër, as se do të jetë Hotel “Isra” i BFI-së, e as se do të ketë hise Myftinia e Shkupit! Apo, do të kënaqen me nja 3-4 banesa që do t’i marrin për vete këta të Myftinisë dhe, tërë prona e Vakëfit të Shkupit do të shkrihet në ato 3-4 banesa, me shpresë se, deri atëherë, nënshkruesi i parë (H. Sulejman ef. Rexhepi), i cili edhe mund t’i posedojë dokumentet origjinale të marrëveshjes dhe, mund t’i humb dhe gjithçka pastaj do të manipulohet! Del puna që këta të Myftinisë së Shkupit, konkretsht “myftiu i kontrabanduar”, Qenan Ismaili, është në pritje të kohës për manipulim pa kurrfarë pasojash! A thua, “nga maja si duket Stambolli”?!/TeKulla/

Leave a Reply