Kohët kujtohen më lehtë kur ato emërtohen me emra fenomenesh, ngjarjesh apo personazhesh! Nuk qenka, pra, e vërtetë se kohët nuk paskan emër! Këtë mundohet ta mohojë vetëm i ndërkryeri, i poshtri, i turpëruari nga të bëmat e veta plotë djallëzi
Nga Besa Latifi, medresante e dëshpëruar
Shaqir Fetai, i instaluari në krye të BFI-së nga shërbimet e ndryshme antifetare e antikombëtare, në “filozofemën” e vet paçavurë të fundit, na paska thënë edhe këtë gjë: “Koha nuk njeh emër e mbiemër – ajo njeh vetëm frymën e konkurrencës dhe vlerat”!
Në fakt, konkurrenca dhe vlerat e një kohe vetëm sa i hedhin në pleh ata që nuk meritojnë t’i zihet në gojë as emri! Për ndryshe, çdo kohë ka emrin e vet, jo si orë, si çast, por si periudhë! Ndaj kemi “koha e evolucionit”, “koha e revolucionit”, “koha e robërisë”, “koha e çlirimit”, “koha romake”, “koha e Pejgamberit”, “koha e Skënderbeut”, “koha e Bajram Currit”, “koha e Idriz Seferit”, “koha e Titos”, “koha e Rankoviqit”, “Koha e Rrahman Morinës”, “koha e UDB-së”, “koha e spiunëve”, “koha e Orao-s”… Edhe Bashkësia Fetare Islame i ka kohët e veta të emërtuara, si: “koha e hafëz Bedrisë”, “koha e Selimovskit”, “koha e Sulejman Rexhepit”, por dhe koha e “Shaqir Fetait”!
Pse i ka hyrë këtij aksioni, si skuth i ndërkryer, Shaqir Fetai? Pse mendon se një kohë nuk duhet të mbajë emrin e Shaqir Fetait? Pse trishtohet nga kjo Shaqir Fetai? Natyrisht, sepse, krejt koha e tij është berbat, është e turpshme, është skandaloze, që fillon me tradhëti e përfundon me kurben në rritje të skandaleve që nuk njeh ulje!
Kur ndodhi shndërrimi i xhamisë në muze? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur ndodhi shndërrimi i xhamisë në teqe? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur ndodhi regjistrimi i bashkësive islame duke e relativizuar peshën e institucionit të vetëm të BFI-së? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur ndodhi ndërtimi i xhamive private që personalizohen dhe bëhen pronë e një individi? Në kohën e Shaqir Fetait?
Kur ndodhi institucionalizimi i gënjeshtrës nga goja e teologut? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur ndodhi vjedhja epike në BFI (e dokumentuar këto ditë edhe nga policia financiare!)? Në kohën e Shaqir Fetait?
Kur ndodhi degradimi dhe shkatërrimi i vakëfit? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur ndodhi çregjistrimi i Medresesë tradicionale “Isa Beu” për të regjistruar një gjimnaz privat “fetar” sipas tekeve të avdallit? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur ndodhi përpjekja për të shkaktuar vëllavrasje masovike nëpër organet e BFI-së? Në kohën e Shaqir Fetait!
Kur përçarja e trungut të BFI-së ka arritur përmasat e të parikuperueshmes? Në kohën e Shaqir Fetait?
Kur janë vjedhur bursat e studentëve dhe kur përfaqësimi i BFI-së në “arenën ndërkombëtare” është fare i papeshë dhe shumë formal? Në kohën e Shaqir Fetait!
Pra, kjo kohë, si periudhë e trishtë, e turpshme, patjetër që do të mbajë emrin e këtij farë mahlukut, i cili, edhe i vetëtrishtuar e kupton që kjo kohë do ta mbajë emrin e tij! Ndërsa tërë këtë poshtrim dhe shkatërrim të Institucionit mundohet të na e shesë si “konkurrencë” dhe “vlerë” të cilat ia paska rritur aksionet BFI-së në qarqet ndërkombëtare ku Shaqir Fetai po na e prezantuaka me dinjitet islamin? Cilin islam? Atë të “ORAO”-s? Bash ti falla – nuk na duhet islami yt i përzier me “mëlmesa” UDB-e!
p.s.
Me medresenë e kryer kam ngelur e mbyllur në shtëpi! Më prano të paktën në Fakultetin tënd dhe unë do të të thurr pastaj hymne! Ndryshe, për hajër i qoftë kësaj kohe emri yt që mos u kujtoftë kurrë për të mirë! Mallkimet e motrave të mashtruara medresante do të të zënë!