“I thashë Rex Tilleresonit, që po humbet kohën me përpjekjet për të negociuar me njeriun e vogël të raketës”, shkroi Trump në “Twitter”, duke përdoru nofkën që i ka vendosur vetë liderit koreanoverior.
Komenti i Trump erdhi një ditë pasi vetë Tillerson tregoi se SHBA po komunikonte drejtpërdrejtë me Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor e të raketave, por Peniani nuk kishte treguar interes për dialog.
“Kurseje energjinë Rex, do të bëjmë atë që duhet bërë”, ishte mesazhi pasues i Trump, që është konsideruar edhe si një kërcënim për Korenë e izoluar.
Më herët, Tillerson tha se SHBA po testonte Korenë e Veriut për të parë nëse ka hapësira për dialog dhe se kishte disa kanale komunikimi me Penianin. Kjo ishte hera e parë që administrata Trump pranoi publikisht se kishte komunikime direkte me Korenë e Veriut.