Ukraina dhe emigracioni, dy temat kryesore
Për herë të parë krerët e unionit europian do të lënë Brukselin për të zhvilluar të parin samit të Këshillit Europian në Ballkanin Perëndimor.
Në Tiranë gjatë kësaj të hëne dhe mëngjesin e të martës së 6 Dhjetorit do të mbërrijnë plot 44 delegacione, ku veç liderëve të Bashkimit Europian dhe atyre Ballkanit Perëndimor do të jenë dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare politik dhe financiar, mes të cilave dhe Banka Botërore.
Samiti më shumë se sa për produktin e tij final është i rëndësishëm për mesazhin që jep për rajonin tonë dhe padyshim Shqipërinë. Me zhvillimin e tij në Tiranë krerët e BE e konfirmojnë zyrtarisht vëmendjen strategjike për këtë pjesë të Ballkanit ku ndodhen 6 shtetet me një histori të vështirë ku konfliktet ndizen herë pas here, e kjo situatë bëhet edhe më e brishtë pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë.
E pikërisht diskutimi mbi pasojat në Europë të kësaj ndërhyrje është një nga çështjet që do të diskutohen. Po ashtu çështja delikate e migracionit dhe shtimit të shifrave të emigrantëve të paligjshëm që shkojnë nga Ballkani Perëndimor drejt vende të BE është po ashtu pjesë e axhendës së diskutimeve.
Liderët e BE do të shkëmbejnë mendimet e tyre për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit kjo sipas njoftimit në faqen e BE përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit të emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës.
Intensifikimin e angazhimit politik dhe përforcimi i sigurisë, përfshirë dhe asaj ushqimore, ndërtimi i rrjeteve të qëndrueshmërisë ndaj sulmeve kibernetike apo lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, janë të tjera çështje që do të diskutohen në tryezën e samitit të Tiranës.