Edhe pse kanë mbetur më pak se 24 orë nga seance konstituive e thirrur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së re.
Këtë të mërkurë, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur në selinë e partisë për të diskutuar për propozimin e kandidatit për kryetar parlamenti.
Megjithatë mediat në Kosovë shkruajnë se në takimin e sotëm do të diskutohet edhe për propozimin e LDK-së së Isa Mustafës për çështjen e presidentit.
LDK e Isa Mustafës këmbëngul që të ketë të drejtën e propozimit të presidentit pasi Hashim Thaci të përfundojë mandatin në vitin 2021. Por Vetëvendosje thekson se posti i presidentit nuk mund të kushtëzojë marrëveshjen për bashkëqeverisje mes dy subjekteve politike që dolën fituese në zgjedhjet e 6 tetorit.