Nexhat Ibrahimi: Shaqë, mos harro, ti ke qenë spiun i UDB-së në Jugosllavi

Në një status të vetin, të fundit, prej atyre “filozofemave” që gjasojnë në leckë paçavurë, Shaqir Fetai shprehet kundër Nafi Çegranit, ish-zyrtarit të UDB-së. Tërë mllefin e ka sepse ky ish-udbash pranoi publikisht në një televizor kosovar se, Shaqir Fetai ka qenë bashkëpunëtorë i UDB-së nën pseudonimin “ORAO”! Mu për këtë deklaratë prej “zyrtari”, Shaqir Fetai e quan Çegranin “destruktiv”, “njeri të prishir”’! “Asnjiherë mos u pikëllo kur të shantazhon në mënyra të ulta ai që tërë jetën ka qenë destruktiv dhe i prishur ndaj njerëzve”, thotë Shaqir Fetai! Do me thënë, Shaqir Fetai po u shantazhuaka nga Naifi Çegrani! A thua pse? Pse shantazhohet Shaqir Fetai? Për përpjekjet e tij që të ik nga UDB-ja?! Sepse, nuk dëshiron ta përundojë misionin e UDB-së? Apo, sepse nuk po e kryen detyrën e UDB-së? Pra, Nafi Çegrani nuk po shpifkëka kundër Shaqir Fetait, por po e shantazhuaka? Epo, kështu është kur fërkohesh me shërbimet intelegjente – gjithnjë do të shantazohesh!
Po pse na qenka “destruktiv” dhe i “prishur” Nafi Çegrani? Sepse e dekonspiron Shaqir Fetain, ë? Nafi Çegrani i prishur se paska punuar në UDB, ndërsa Shaqir Fetai i cili ka bashkëpunur me UDB-në nuk qenka i prishur, nuk qenka destruktiv?! Nafi Çegrani, ndonëse nuk është as hoxhë e as hafëz, po del të jetë më i devotshëm se Shaqir Fetai, sepse, ai publikisht e pranon se ka punuar për UDB-në, si dhe publikisht tregon se akoma bashkëpunohet me këtë armik të përbetuar të shqiptarisë dhe kush punon me këtë armik!
Po a e thotë këtë të vërtetë vetëm ky “i prishur”, Nafi Çegrani? A mund të jenë të prishur të gjithë ata që flasin kundër prishunisë së Shaqir Fetait? A mund të jenë të prishur edhe ata që kanë vuajtur pasoja të tmerrshme nga prishunia e Shaqir Fetait? A mund të jetë i “prishur”, Profesor Nexhat Ibrahimi, i cili haptaz flet për pasojat nga prishunia prej spiuni të Shaqir Fetait:
“Rrahja, goditjet me shufra gome e druri, me karrige metali, grushtimi e shqelmimi nga maja e kresë deri në maje të gishtave. Më hidhnin nga njëri skaj i zyres në tjetrin. M’i shkulnin flokët dhe mjekrën. Sa herë thirrte ezani i lartësuar nga minereja e xhamive të shumta të Prizrenit, më “përpunonin” special; këtë ma thoshin gjatë dhe pas çdo ezani. Nga dy-tre, katër, pesë prej tyre, … sikurse bisha të egra, nuk e di sa, shumë! Pasi lodheshin, vinte ekipi tjetër i çlodhur nga KAMP-i (Motel) Prizreni, në krye të tyre thuajse gjithnjë ishte Dragan Zariq nga Beogradi, specialist ndërkombëtar për aferat e armëve, apo siç e quante ai veten “naj.beniji udbash u Jugoslaviji” (Udbashi më nënë.imë në Jugosllavi). Për të mund të thuhet: satrap, i pashpirt, idiot, skizofren, sadist. Kërkonte rrjetin e grupit tim, kush është mbi mua dhe nën mua, kërkonte t’i sqarojë të gjitha kontaktet e mia si sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, si kryetar i Shoqatës së Ulemave për Kosovë …., si anëtar Rijaseti të RSFJ-së në Sarajevë, si autor e publicist, kërkonte t’i sqaroj lidhjet që i kisha pasur me LDK-në në Prizren, me Alija Izetbegoviqin, kontaktet e mia me dy delegacione nga Irani, Turqia, etj. Kush qëndron pas meje? Kush, si, çka, kur, nga, pse, prej, ç’dëshiron, ç’planifikon; këtu nuk është Arabia, Turqia…, [këtu është drzhava Srbija, zemra dhe shpirti i Serbisë, do të të vrasim sonte, do të të zhdukim, do ta arrestojmë tërë familjen, madje, këtu i ke, po e dëgjon vajin e fëmijëve në skaj të korridorit; do të kalbesh në burg tërë jetën, ti je terrorist, ti je fundamentalist, të ka mashtruar Rugova, Berisha…” (Tetova Sot, 13. 11. 2020)
Pra, udbashët angazhoheshin për Jugosllavi, në fakt, për Serbinë e Madhe, ndërsa armiqtë e UDB-së torturoheshin barbarisht e çnjerëzisht! Për këtë angazhim pro Serbisë së Madhe, aq më tepër kur je hafëz e hoxhë, kur je myfti e “reis”, je i mirë dhe takvaxhi, ndërsa ai që e shantazhon këtë “takvaxhi” ai është i prishur!
Një vjet më përpara se të flasë Nafi Çegrani, ky motivues i Shaqir Fetait për ta shprehur “mirësinë dhe takfallëkun”e vet, ka folur edhe më qartë Profesor Nexhat Ibrahimi, përmes një letre publike që e botoi pothuajse në të gjitha mediat e shkruara dhe sociale shqiptare. Në vazhdim po e sjllim në mënyrë integrale këtë letër publike (Tetova Sot, 9 Nëntor, 2023):

“I dashur Efendi Shaqa!
Vitetet e fundit më ke befasuar, madje më ke shtangur me akrobacionet politike, me nëpërskëmbëzat tinzare ndaj miqve e shokëve, me marifetllëqe të mbitokës e nëntokës, edhe pse unë prisja të befasohem me punë konstruktive e sistematike brenda Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
Nuk të përshëndeta me selam, sepse mu dukë hipokrizi nga ana ime. Nuk të pyeta si je, sepse më duket e tepërt, sepse jehona e disponimit tënd dëgjohet edhe jashtë Maqedonisë, që jep të kuptoj që ke kondicion për shumë lojëra futbolli.
Nuk të quajta as Reis, sepse nuk e kam kuptuar që në atë vend ke ardhur me rrugë të mirëfillta, as nuk je duke ia bërë hizmetin “islamçe” punës, por hizmetin e bënë sipas direktivave që të vijnë nga “kufjet” në vesh, që mos ta dëgjojë veshi i majtë ç’dëgjon veshi i djathtë.
Shaqë i dashur! Kemi ngrënë e pirë në një sofër për shumë vite, kemi kaluar vitet më të mira të rinisë së bashku, kemi lozur futboll dhjetëra herë, por nuk e dija se gjatë kësaj kohe t’i përveç shkollës ke kryer edhe një mision tjetër, atë të puthadorit të regjimit, të zëdhënësit tonë pa autorizim për dobi të tyre. Çuditem, sa i fortë paske qenë e nuk e kam ditur. Por më dhe pak kurajo, që edhe unë paskam vlejtur dikur që “madhëria jote” të merret. Ti ke pasur të gjitha autorizimet, si i gjithëpushtetshëm që je, atëherë e sot, ndaj edhe i ke dhënë të drejtë vetes të flasësh në emrin tim për mua para autoriteteve të UBDA-s, përkatësisht të flasësh për idetë, veprimet dhe jetën time para organeve të spiunazhit.
Ç’të ndodhi? Përse më spiunove? Të duhej pozita! Të duhej pasuri! Përse më solle aq telashe mua dhe familjes time?! Edhe pse ndonjëherë kam dyshuar, megjithatë i kam thënë vetes, nuk ke të drejtë, hafëz Shaqa nuk e bënë këtë. Një hafiz, një teolog, një cimer, një bashkëshort, një baba, nuk e bën, ose së paku më jep ndonjë shenjë se ç’po ndodh rreth meje, që jam i ndjekur. Ke pasur kohë, ke pasur mundësi, ke pasur rast!
Përse nuk e bëre këtë më vonë, pasi jemi rritur e martuar, kemi krijuar familje e kemi bërë karrierë? Përse nuk the: o njeri, kam qenë i ri dhe kam gabuar!, ose kam qenë i shtrënguar nga policia dhe kam gabuar!, ose kam pasur oferta por e shoh që kam gabuar! Nuk të dhembesha unë? Nuk të dhimbsej familja ime (por edhe e jotja)? Nuk të dhimbsej titulli i hoxhës e hafizit? Apo, ke kryer detyrën tënde patriotike prej jugosllavi dhe ke spiunuar fëlliqtë mbi shokët e dhomës! Aman, sa e rëndë që edhe sot i them këto fjalë, hera e parë që flas publikisht për këtë temë, edhe pse e di tashmë shumë vite më herët, qysh kur shteti yt Jugosllavia të ka shpallur për spiun.
I dashur Shaqë, ia hodhe paçe Molla Sylës. I dhe pleksus dhe nokaut. U bëre më i fortë se ai. Por, më kujtohen edhe servilizmat tua ndaj tij. Por, ke duruar me durim ‘bilalian’ deri në çastin e duhur për ta goditur.
Në vend që ta përmirësosh gjendjen juridike, financiare, kulturore, fetare, njerëzore në organizatë, ti po e gjunjëzon organizatën, po përjashton kuadrot, po ofendon kolegët. Shumë e rëndë. Kush të dha këtë të drejtë?! UDBA?! O Shaqë, nëse gabove si i ri, si pranon të gabosh si i vjetër! A nuk e sheh varrin disa hapa më tej! Apo reisët si ti nuk japin llogari, si të ishe njeri ‘Komiteti’!
Para disa muajve bëre allishverishe jo të matura, duke shkarkuar njerëz nga puna, sepse nuk i ke pëlqyer fjalët dhe veprat e tyre! Po, por nëse ti ke të drejtë të flasësh e veprosh përse edhe ata nuk e kanë këtë të drejtë? Vallë, të erdhi shpallje ty për saktësinë e fjalëve dhe veprime tua. Në vend të përjashtimit, përse nuk i ke ftuar të bisedosh konstruktivisht, me sinqeritet, të shohësh gabimet tua dhe natyrisht të tyret.
Sërish këto ditë me allishverishe! Më ngjan në lugatin, të cilit kur i konsumohet forca, pinë gjakun e ndonjë njeriu, për të vazhduar jetën prej lugati. Ty, të kënaq kjo që përjashton njerëz! Mos je bërë, vallë, më i madh tanimë kur ke shkarkuar kolegë tuajit nga detyra pa gjykim! Mbaje mend, as Nemrudi, as Faraonët, as Hitleri, as Tito, as Stalini në fillim nuk kanë pirë gjakun e shokëve. Kjo filloi kur filluan të mbesin pa prova, pa argumente, kur kishin frikë nga vetja dhe hija e tyre!
A nuk ishte më me vend të jepje dorëheqje, e të shkoje në shtëpi si njeri, që të të përshëndesin njerëzit njerëzisht. Kështu, ca kalamaj rreth teje të duartrokasin dhe ti merr forcë nga tifozllëku i tyre. Abuzon me Bashkësinë Islame, abuzon me ligjin, abuzon me të drejtat e njeriut për nevojën e të mbeturit spiun deri në frymën e fundit. Habitem me ty. Kështu nuk të kanë mësuar mësuesit tuaj, as në medrese, as në fakultet. Mbase kjo është ndonjë vijë gjenetike që ti dhe familja do t’i turpëroheni me vite e vite. Edhe Çegrani do të turpërohet nga vesvesja e të qenit spiun.
Habitem se si gjen guxim të dalësh para njerëzve e t’u flasësh për të mirën e kundër të keqes, për hallallin e haramin, për miqësinë e dashamirësinë, kur ti ke thyer të gjitha parimet e njerëzores. Sa ajete e hadithe ke shkel duke vepruar në mënyrën tënde.
I dashur Shaqë! Edhe ne të tjerët gabojmë. Bëjmë gabime, por për dallim prej teje, përmirësohemi. Bëjmë edhe mirë, sepse e dimë se do të gabojmë edhe në të ardhmen. Lutemi dhe pendohemi, sepse kjo është rruga jonë.
Nuk do ta zgjas më shumë. Të sugjeroj: shkel në tokë, merre shtruar, shko në shtëpi. Kjo është më mirë se të vazhdosh të gabosh. Vazhdimi në gabime të çon më tej, në ambis, nga ku nuk ka kthim!
Shprehi keqardhje për këto fjalë që u detyrova t’i them pas shumë vitesh. Më dhimbsesh si e bënë gjumin. Më dhimbsesh si do të përgjigjesh në Berzah.
Mos e harro, ti ke qenë spiuni im. Më ke bërë dëme fizike dhe psikike. Më ke prishur jetën. Shkaku i ambicieve tua të liga, unë jam rrahur, jam uritur, kam pritur disa vite për punë, sepse isha i padëshiruar për ata si ti, që udhëhiqnin Bashkësinë Islame. Hallall nuk e ke sepse as nuk e ke kërkuar hallallëkun. Dhe nuk do ta kesh hallall, nëse kjo gjë për ty vlen diçka.

Ish-miku yt,
Nexhat Ibrahimi
09.11.2023
Prizren

Leave a Reply