Pak orë pasi u përballën me zjarre të fuqishme, disa qytete të Austrialisë po përgatiten për përmbytje masive. Nga zjarret janë goditur më shumë zona Gippsland e Viktorias dhe Bregu Jugor i Uellsit të Ri Jugor këtë javë. Ndërkohë shiu që po afron ka nxitur paralajmërime për përmbytje.
Australia po shkon nga fatkeqësia në fatkeqësi vitet e fundit pasi po ndjen efektet e ndryshimeve klimatike.
“Kjo është një nga arsyet pse qeveria që unë drejtoj është e vendosur të veprojë ndaj ndryshimeve klimatike,” tha kryeministri Anthony Albanese kur foli për situatën.
Dhjetëra zjarre janë djegur në të gjithë Australinë, ndërsa vendi hyn në atë që pritet të jetë sezoni i saj më i rrezikshëm i zjarreve në vite.
Në Gippsland, qindra zjarrfikës kanë kaluar disa ditë duke luftuar me zjarre që kanë shkaktuar evakuime të shumta dhe kanë djegur shtëpi. Autoritetet e Uellsit të Ri Jugor (NSW) kanë konfirmuar gjithashtu se disa shtëpi u shkatërruan nga zjarri në Luginën Bega të martën. Zjarret kanë djegur rreth 25,000 hektarë tokë.
Por një front i madh i ftohtë po sjell reshje të mëdha shiu në juglindje të Australisë, duke nxitur një paralajmërim nga autoritetet për t’u përgatitur për përmbytjet e mundshme të lumenjve. Qytetet në rajonin Gippsland, të cilat u kërcënuan nga flakët tani rrezikohen të mbyllen nga ujërat e përmbytjeve.