Ngjarjet në Elbasan, Çako “spastron” krerët e policisë

 

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka paralajmëruar një “furtunë” shkarkimesh në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit pas ngjarjeve të fundit kriminale në këtë qytet.

“Gjatë një kontrolli rutinë efektivët e policisë u ndeshën me disa individë. Efektivët nuk ishin në lartësinë e duhur dhe pamjet filmike që tregonin sulmin ndaj efektivëve ishte shokuese. Kjo ngjarje ishte shokuese edhe për imazhin e policisë së shtetit”, ka deklaruar Çako.

Çako ka bërë me dije se pas hetimit të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe vlerësimit të një raporti të SHÇBA, është arritur në konkluzionin se strukturat e policisë janë treguar të paafta për ngjarjen e 17 shtatorit, ndaj dhe drejtoria e policisë së Elbasanit do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të thellë.

“Ngjarja në fjalë tregon për një punë të dobët të kryer nga kjo drejtori në luftimin e grupeve kriminale. Ndaj është bërë shkarkimi i drejtorit të policisë Elbasanit, shkarkimi i nëndrejtorit, shkarkimi i shefit të sektorit krimeve të rënda, të shefit të rendit dhe të disa drejtuesve të komisariateve. Drejtoria e Elbasanit do t’i nënshtrohet ristrukturimit”, ka theksuar Çako, duke shtuar se në Elbasan do të caktohet Altin Qato.

/ Top Channel 

Leave a Reply