Rama: Agjërim të lehtë në muajin e bekuar
Këtë të martë nis zyrtarisht muaji i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë. Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiston në privimin me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit.
Besimtarët e agjërojnë këtë muaj sepse është urdhër i Zotit, si në çdo adhurim tjetër, ka një sërë dobish shpirtërore, psikologjike, shëndetësore, etj. Edhe kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të marte me një urim për të gjithë besimtarët myslimanë, ndërsa ju uron agjërim të lehtë.
“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët muslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama.
Presidenti Meta gjithashtu nuk ka ngurruar të urojë besimtarët për muajin e shenjtë.
“Të dashur motra dhe vëllezër të besimit Islam, gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!I bashkohem urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t’i falë mëshirën e tij, t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët. Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë! Nga mot gëzuar muajin e madhërishëm të Ramazanit!”, shkruan Meta në postimin e tij në Facebook.
Urime të shumta ka pasur edhe në radhët e politikanëve të tjerë në vend, por edhe nga ambasadorët e huaj.
Erion Veliaj: Me këto pamje të veçanta të Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut, ju uroj gëzuar muajin e shenjtë të Ramazanit dhe agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë.
Gramoz Ruçi: Sot besimtarët myslimanë nisin kremtimin e muajit të bukur e të bekuar të Ramazanit. U uroj të gjithëve agjërim të lehtë dhe lumturi në familje. Edhe pse me vështirësitë dhe kufizimet që na ka imponuar pandemia, ky muaj na shtoftë besimin, dashurinë dhe shpresën se festimet për gëzimet e jetës do të kthehen shumë shpejt!
Olta Xhaçka: Agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë brenda e jashtë vendit! Urimet më të sinqerta për muajin e sakrificës dhe të triumfit në emër të idealeve të larta njerëzore. Zoti ua pranoftë!
Luigi Soreca: Uroj një Ramazan të bekuar për besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në gjithë botën! Le të sjellë ky muaj i shenjtë shëndet, guxim dhe forcë që do t’ju ndihmojë të kapërceni çdo sfidë të jetës!