Rama u përgjigjet akuzave: Nuk po bëjmë kasolle
Pas afro 1 viti nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit, në Tiranë janë hapur themelet për ndërtimin e një lagje të re me 11 pallate në zonën e 5 Majit.
11 mijë banorët që do të strehohen në pallatet e reja deri sa të marrin çelësat e shtëpisë në dorë, do të vazhdojnë të marrin bonusin e qirasë.
“Deri në momentin kur të mbarojë rindërtimi në këtë kantier ne do të paguajmë kokërr më kokërr për të gjithë ata që po banojnë me qira”, tha Veliaj.
Si Kryeministri ashtu dhe kryebashkiaku i kthejnë përgjigje akuzave të opozitës për ritmet, cilësinë dhe standardet selektive që po ndiqen sipas tyre në procesin e rindërtimit.
Kryeministri lajmëron dhe për nisjen e punimeve të Teatrit Kombëtar në një kohë sa më të afërt.
“Shumë shpejt do të fillojë Teatri Kombëtar në atë truall, dhe siç ndodh me punët tona, kur të mbyllen ato do të flasin vetë, por ndërkohë që punohet ne do flasim se decibeli i lehjeve të tyre janë në nivele të larta dhe ne do të flasim për të ndihmuar të gjithë që të kuptojnë të vërteta të thjeshta që faktet të mos shkelen me këmbë”.
Këto janë pallatet e para që nisin të ndërtohen si pjesë e programit të rindërtimit, ndërkohë që qeveria ka premtuar se shtëpitë individuale dhe shkollat do të përfundojnë të gjitha para Janarit 2021./TV KLAN/