Balluku: Do të ketë ndëshkime, abuzimi në shkallë të njëjtë me informalitetin fiskal
Abuzimi me cilësinë e karburanteve që bëjnë opertorët në këtë treg, për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, është në të njëjtat nivele me abuzimin që ndodh në fushën e deklarimit të të ardhurave.
Nisur nga kjo situatë, Belinda Balluku tha se kontrollet në këtë drejtim do të intensifikohen, ndërsa u bëri thirrje të gjitha subjeketeve që të korrigjojnë veten. Ministrja tha se emrat e kompanive që abuzojnë janë evidentuar dhe paralajmëroi ndëshkime të ashpra për të gjithë, qoftë kompani të mëdha, e qoftë pika të vogla karburanti.
Në 6 muajt e parë të këtij viti, Inspektoriati Shtetëror Teknik ka gjobitur 44 subjekte me një vlerë totale prej 1.4 milionë Dollarë, ndërsa kryeinspektori lajmëroi ngritjen e një njësie të veçantë në Porto Romano e cila do të kontrollojë cilësinë e karburantit që importohet në kohë reale për 85% të tregut vendas.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, manipulimi me cilësinë e karburantit që u tregtohet shqiptarëve bëhet në masë të njëjtë si nga operatorët e mëdhenj importues, ata që shesin me pakicë, dhe kompanitë që prodhojnë lëndë hidrokarbure në tregun vendas.