Demant
(Lidhur me një “prononcim televiziv” të njëfarë “hoxhe”, I. B., i publikuar në “Zhurnal” dhe “Ina”, ku lakohet edhe emri im, krahas emrave të miqve të tij të deridjeshëm të cilët e paskan manipuluar shumë rëndë)
Nga Avni Halimi
Sot, opinioni i gjërë u iritua nga një përpjekje mjerane e njëfarë “hoxhe”, tërësisht anonimus, Ismet Bitiçi, që publikisht të tregojë se që nga 4 maji i vitit 2014 e këndej paska qenë i manipuluar nga “puçisti”, Afrim Tahiri! Pasi paska bërë një mori veprash të pahishme për një hoxhë, pra, paska mëkatuar deri në shkallën kur është vetëdijësuar dhe ka vendosur të kërkojë falje publike! Është problem i tij! Megjithatë, duhet ta dijë i shkreti se, meqë paska qenë një herë i manipuluar, ai përjetë do të ngelë i manipuluar!
Në prononcimin e tij psikopatik ai e përmend edhe emrin tim si, mbështetës i aktiviteteve të Afrim Tahirit, oponentit të njohur botërisht, të Sulejman Rexhepit!
Duhet të sqarohet opinioni se, derisa Ismet Bitiçi duke u manipuluar nga Afrim Tahiri dhe duke zhvilluar aktivitete të mëkatshme katërvjeçare, unë, Avni Halimi kam qenë brenda BFI-së, duke i luftuar pikërisht ata “puçista”! Me çka? Paj, janë një mori shkrimesh pro Sulejman Rexhepit, të botuara me emrin tim, nga vetë unë! Janë një mori shkrimesh e intervistash që ia kam shkruar Sulejman Rexhepit si dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, madje edhe anëtarëve të familjes së tij, për agjenci e redaksi të ndryshme. Është kompleti prej gjashtë vëllimeve “Për fe dhe atdhe” që ia kam shkruar dhe përgatitur Sulejman Rexhepit! Është projekti im, që e kam shkruar personalisht unë, “Stop RadTerr” duke ia lënë BFI-së një kapital të jashtëzakonshëm. Jam pikërisht unë që e kam bërë studimin mbi Besueshmërinë e teologve dhe myslimanëve kundrejt BFI-së! Jam unë dhe jo “hoxhë” Ismet Bitiçi, që ia kam shkruar Sulejman Rexhepit të gjitha hutbet,të gjitha mesazhet dhe të gjitha paraqitjet publike me rastin e festave fetare në vend. Jam unë ai që ia kam përgatitur CV-në profesionale Sulejman Rexhepit me rastin e pranimit të “mirënjohjeve” kombëtare e ndërkombëtare! Jam unë ai që tash e katër vite ia mbaj me shkrime facebukun Sulejman Rexhepit, siç e mbaj edhe facebukun e BFI-së si dhe faqen zyrtare të saj. Jam unë ai që nga ajo datë kur është manipuluar Ismet Bitiçi e deri më sot në BFI kam lënë 50 numra të “Hënës së Re”, duke lënë gjurmë që i demantojnë të gjitha ato pordha të Ismet Bitiçit. Jam unë ai që i kam përgatitur Biltenet vjetore të BFI-së, në të cilat, Ismet Bitiçi mund të lexojë të paktën nga nja 400 njësi, që i bie, për këto katër vite t’i kem shkruar bi 1600 njësi, do me thënë, informata për aktivitetet e BFI-së dhe të Sueljman Rexhepit!
Këto nuk i ditka Ismet Bitiçi por “i ditka” ato gjëra, të cilat, një javë më parë duhej që unë t’i pranoja nën një presion të tmerrshëm psikik, me shumë elemente policeske, të përshkruara këtu e një shekull më parë nga Xhorxh Orueli! Madje në pani të dëshmitarëve, që për higjienë të gojës nuk po ua përmend emrat! Natyrisht, unë nuk pranova të manipulohem, madje refuzova edhe të punoj më tej në atë ambient që po ngulfatet nga përpjekjet për t’i ngjarë stacioneve policore ku dikur intelektualët tanë i nënshtroheshin “bisedave informative” policore. U pezullova nga puna, sese nuk pranova të manipulohem e të vihem në shërbim të djallit për të marur mbi vete fajin e një fushate të tërë që e zhvillon oponenca e Sulejman Rexhepit.
Ja, një javë më vonë, del njëfarë “hoxhe” I.B. dhe, siç qenka i manipulueshëm, tenton ta manipulojë edhe opinionin e gjërë dhe, rruëgës të më njollosë edhe mua!
Mua nuk më interesojnë raportet ndërnjerëzore të askujt. Kam respekt për secilin, madje edhe për këtë farë I.B., sepse edhe ai ka familje, ka fëmijë dhe, nuk dua që publikisht ta diskreditoj dhe ta bëj për pesë lekë, për aq sa vlenë në fakt! Megjithatë, nisur nga deklarimi i shpeshtë i Sulejman Rexhepit në promovim të hafizlerëvë të rinjë se, hafëzlerët janë persona të bekuar, janë persona më të dashur tek Allahu xh.sh., janë kategoria më e çmueshme ndër ummetin mysliman, atëherë, publikisht po prononcohem: tash e tutje Afrim Tahirin do ta kem mik shtëpie (natyrisht, nëse pranon ai), pavarësisht se “armik” i kujt është, dhe, pavarësisht se “armiqtë” e tij do të shpenzojë pa dhembje para duke paguar “fotografë” policorë për të më ndjekur se me kë shoqërohem e me kë pi kafe! Afrim Tahiri është një mysliman i devotshëm, është një hafëz i respektueshëm dhe një opozitar i cili fton publikisht në debat të gjithë kush ka potencial për ta bindur se është në rrugë të gabuar! Një debat i tillë, një sqarim publikisht i së vërtetës, është borxh i madh që teologët ia kanë besimtarëve të vendit.
P.S.
Në konsultim me miqtë, më bindën që një i manipuluar deri në kockë nuk duhet të paditet në gjyq për shpifje e trillime, aq më tepër kur publikisht pranon se është njeri i manipulueshëm. Edhe kësaj radhe e kanë manipuluar, dhe joshur me diçka që mund të jetë jetike për të. Ia paftë hajrin I.B.