Panik në disa qytete, mbi 150 të lënduar e banesa të dëmtuara
Shqipëria u godit pasdite nga një nga tërmetet më të forta të 3 dekadave të fundit.
Ka qenë ora 16:04 kur një tërmet i magnitudës 5.6 në shkallën Rihter dhe intensitet 7.5 ballë shënoi goditjen e parë në detin Adriatik, në Porto Romano, 1 km larg bregut.
Goditja e parë u pasua me një tjetër, me intensitet 5.3, vetëm 11 minuta më vonë.
Tre lëkundje të tjera u regjistruan në një hark kohor prej 2 orësh.
Ato u ndjenë të forta në Tiranë e Durrës, por dhe qytetet e tjera, si dhe në shtetet fqinje, si Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia.
Tërmeti shkaktoi vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht asnjë viktimë.
Ky pallat në qytetin e Durrësit ka marrë dhe dëmtimet më të mëdha.
Dëme të ndjeshme ka patur dhe në godinën e Fakultetit Gjeologjik në Tiranë.
Paniku tek qytetarët ishte i madh. Të gjitha rrugët dhe sheshet e qyteteve u mbushën me njerëz të frikësuar që u qëndronin larg godinave.
Dëme të konsiderueshme janë konstatuar dhe në një pallat në Don Bosko në kryeqytet dhe një tjetër në zonën e njohur si Farmacia 10.
Dëme ka pasur edhe në banesat në zonën e Astirit.
Dëmtime pësoi edhe vetë ndërtesa e Kryeministrisë, me plasaritje të murit nga ana e ish-Ministrisë së Financave.
Tërmeti ndërpreu edhe ndeshjen e Partizani-Bylisi që kishte nisur vetëm pak minuta përpara goditjes sizmike.
Deri në orën 21:00 u raportua për 105 qytetarë të lënduar në Tiranë e Durrës.
Vetëm në Spitalin e Traumës u paraqiten 75 banorë me dëmtime kryesisht në gjymtyrë. Disa prej tyre janë shtruar në reaminacion.
Si spitalet ashtu edhe policia u vunë në gatishmëri për të përballuar situatën e krijuar nga tërmeti./TvKlan/