Heshtja makabre para situatave kaq dramatike që po luhen brenda dhe rreth Bashkësisë Fetare Islame, flet për një neglizhencë totale të faktorëve me relevancë para një vlere shumë të rëndësishme kombëtare. Dikush e hodhi grrepin dhe u kap peshku, as nuk po tërhiqet, as nuk po lëshohet! E peshku kalbet nga koka
Shkruan Afrim Tahiri
Po bëhen një vit që kur Bashkësia Fetare Islame u kap nga partitë politike të pushtetit aktual! Preteksti ishte: ta dëbojmë Sulejman Rexhepin, ish-reisul ulemanë e BFI-së, kundër të cilit zhvillova një opozitarizëm të parreshtur, që nga viti 2014!
Diku, në qershor të vitit 2014, duke qenë në pozitën e Sekretarit gjeneral të BFI-së, në Rijaset deponova një dorëheqje, pasi që zbulova se si, një hajdut i BFI-së, ne ëmrin tim personal dhe në emër të ish-reisit, po i vidhte myslimanët e ndryshëm. Dhashë dorëheqje me të gjitha arsyetimet brenda! Reisul Ulema i atëhershëm, H. Sulejman ef. Rexhepi, nuk e pranoi dorëheqjen time, ndërsa i pranoi të gjitha vërejtjet që i kisha numëruar si arsyetime në atë letër! E largoi hajnin dhe m’u lutë, me shokë të tjerë, që të rikthehem. Pranova, me kërkesë që t’i futemi një reforme të thellë në BFI, sepse, punët kishin vajtur aty ku nuk shkonte më: kishim nisur të humbim kontaktin me xhematet tona dhe se kishim nisur ta humbim besueshmërinë e tyre!
Derisa po e përpunoja strategjinë e reformave gjithëpërfshirëse, të tjerët, anëtarë Rijaseti, për ta shpëtuar veten nga prekja e reformave aq të domosdoshme, kishin vepruar te H. Sulejman ef. Rexhepin duke i premtuar lojalitet, unitet, përkrahje të parezervë, i kishin kërkuar degradimin tim. U degradova dhe, natyrisht, meqë më prekën në integritet, u tërhoqa fare nga të qenurit nëpunës i BFI-së dhe, u stopuan reformat e domosdoshme, ndërsa unë nisa opozitarizmin me miq e me shokë!
Pse BFI-ja u duhet partive politike në pushtet
Pesë vite më vonë, dolën në sipërfaqe të gjitha vërejtjet e mia, të gjitha frikërat e mia se në BFI kishte një unitet falso, se në BFI po përgatiteshin lojëra fatale për këtë Institucion, se BFI-ja do të shpëtonte vetëm kur shteti dhe pushteti do të dilnin nga BFI-ja! Pesë vite më vonë u zbardh në opinion edhe marrëveshja interne e H. Sulejman ef. Rexhepit me bashkëpunëtorët e tij të cilët i kishin premtuar lojalitet dhe unitet në çfarëdo situate.
Ja ku jemi! Unë me luftën time të pandalshme për ta shkapur BFI-në nga duart e pista të politikave partiake dhe, “militantët partiakë”, që si ushujza janë kapur aq shumë fort për kurrizin e BFI-së.
Në fakt, “militantët partiakë” vetëm sa po tallen me partinë shqiptare që u bë sebep për t’i instaluar në parti, ndonëse nuk janë të përshtatshëm për instalacion por për skrap të ndryshkët! Sepse, që të gjithë, pa përjashtim, dëshmuan se janë vegla të shërbimeve të ndryshme intelegjente të cilët kurrë nuk rreshtën së përpjekuri për ta futur në grushtin e tyre këtë Institucion. Po, pse? Çka u duhet? Paj, dikujt për t’ia shfrytëzuar asetet financiare të shumta që i ka ky Institucion, dikujt për t’ia shfrytëzuar asetet-objektet por edhe kuadrin në të mirë të “partisë mëmë”, dikujt i duhet që ta ngacmojë dhe eventualisht ta instalojë radikalizmin dhe terrorizmin “islamik” me qëllim, jo që shqiptarët të njollosen si radikalistë e terroristë (sepse kjo nuk pi ujë) por, të kenë alibi për ta luftuar këtë dukuri eventuale dhe për t’u dëshmuar si partnerë të mirë të forcave globale të rreshtuara e grupuara kundër të ashtuquajtërës “radikalizmit dhe terrorizmit islamik”, i cili, pa dyshim, në mesin e shqiptarëve kurrë nuk ka mundur të gjejë vend (me përjashtim te mercenarët)!
“Dora e zezë” që po gërryen themelet e BFI-së
Dikush, një “dorë e mistershme” i mblodhi brenda nate, madje dy ditë pas faljes së përbashkët të Bajramit, i trimëroi që të dalin e ta kumtojnë shkarkimin e H. Sulejman ef. Rexhepit nga posti i Reisul Ulemasë së BFI-së! Strategët kishin qenë po ata që, fiks një javë më parë, në një dokumentar kushtuar reisit të tyre, kishin folë fjalë nga më të mëdhatë.
Më 27 maj të vitit 2020, dolën para kamerave të shumta dhe, thanë se më nuk do të prihen nga Sulejman ef. Rexhepi, sepse ky paska shkelur Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së! Ç’paradoks! Antikushtetutarët më të përbetuar thirren në Kushtetutë?!
Natyrisht, gazetarët e shumtë, opinioni i gjërë kërkonte që të dijë më shumë se si u bë shkarkimi i H. Sulejman ef. Rexhepit, kurse, Shaqir Fetai, “më i dashmi” i Sulejman ef. Rexhepit, vazhdimisht thoshte se janë duke bërë analiza, se janë duke hulumtuar dhe, së shpejti do të dalin me arsyet e sakta për largimin e H. Sulejman ef. Rexhepit. Strategji tipike kjo e treshes Gruevski-Jankullovska-Mijallkov: burgos njerëz të pafajshëm se arsyetime do të shpikim plotë! Edhe sot e kësaj dite nuk u tha asnjë fjalë, nuk doli asnjë analizë, nuk doli asnjë fakt që do ta arsyetonte vendimin e këtyre puçistëve klasikë për ta larguar Sulejman ef. Rexhepin.
Pas kaq kohësh, askujt më nuk po i intereson se si u largua Sulejman Rexhepi! Tani kërkohet që të zbardhet “dora e mistershme” e cila i tuboi brenda nate “bashkëpunëtorët e Sulejman Rexhepit” për ta larguar të njëjtin nga posti i Reisit. Tani nuk ka më dilemë rreth asaj se, nëse ishin këta bashkëpunëtorë të vërtetë dhe të sinqertë të Sulejman Rexhepit apo paskan qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të kësaj “dore të zezë”!
Pse ndodhi kjo ndërhyrje politike e segmenteve të caktuara të pushtetit maqedonas?
Në prag ishin zgjedhjet e parakohëshme parlamentare dhe, meqë pushteti po rrinte në këmbë të krisura prej qelqi, ndërsa opozita shqiptare po forcohej shumë, edhe LSDM-ja por edhe BDI-ja ishin të interesuar që të siguronin terren ku nuk do të mund të futej opozita për të siguruar vota! Po pastronin terrenin prej personave influencues të cilët, në moment të fundit, mund ta kushtëzonin pushtetin e atëhershëm për një “Fitore të Pirros”! Dhe, e kishin fare të qartë se, duke e eliminuar “lojtarin e papërshtatshëm” dhe, duke e kapur BFI-në do ta siguronin edhe një mandat qeverisje sado që të jetë i brishtë ai pushtet!
Tani, bazuar në deklaratat e Shaqir Fetait, kukullës së pushtetit aktual, kemi një BFI që është brengë e Qeverisë së Kryeministrit Zaev, i cili, deri më tani pesë herë është detyruar të ndajë financa nga buxheti i shtetit për BFI-në e Shaqir Fetait. Gjithësesi, tash e tutje, do të nisin të kërkojnë edhe bashkësitë e tjera fetare si dhe grupet religjioze që të marrin hise nga po i njëjti “kek”! Dhe, ja një fillimlojë për t’i pushtuar të gjitha komunitetet fetare dhe, duke u dhënë injeksion financiare, t’i vënë në shërbim të pushtetit!
A nuk është ky një qëndrim antiamerikan të cilin e proklamonte ish-Reisul Ulema, H. Sulejman Rexhepi, bazuar në sugjerimet e mikut të tij ambasador amerikan, i cili jo një herë e ka porositur efendi Rexhepin që kurrë mos të pranojë të bëhet buxhetist i pushtetit, kurrë mos të pranojë asnjë cent nga buxheti i shtetit!
Puçi nuk është revolucion! Marionetat nuk bëjnë reforma
Në krejt botën, në të gjitha institucionet, në të gjitha orgnizatat, në të gjitha trupat dhe organizimet jofitimprurëse, ata që nuk pajtohen me të parin, japin dorëheqje, tërhiqen, e lënë lakuriq liderin e tyre! Vetëm në raste kur organizohen pushtime klasike nga bashkëpunëtorët e liderit, puç klasik, apo likuidime morale të liderit, kemi eliminim të tij dhe vazhdimësi të aktiviteteve punëdrejtuese prej ish-bashkëpunëtorëve të liderit. Dhe, këto skenare asnjëherë nuk realizohen pa një përkrahje logjistike prej “armiqve të liderit”! Kësisoj, në sy të botës, “lideri” gjithnjë përceptohet si viktimë e të pamoralshmëve, kurse bashkëpunëtorët e tij puçistë kundrohen si persona të prishur, të rrezikshëm, cuba, të cilët, tradhëtisë mundohen t’i japin nuanca të “revolucionit”! Revulucionet praptojnë pushtete e diktatura, me të gjitha “asetet” e tyre dhe jo vetëm liderin. Me liderin, shkojnë edhe shumë koka të tjera. Ato koka të pushtetit të rrënuar që ngelin me revolucionaristët, ata gjithnjë janë në pritje të momentit të tyre revolucionarist. Sepse, puna që nisë fëlliqtë, përfundon fëlliqtë!
Shkelës të Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së, në bazë të të cilit u shkarkua H. Sulejman ef. Rexhepi, nuk mund të jetë vetëm ky! Shkelja e atij Neni kërkon përkrahjen e organeve, kërkon besnikërinë e organeve, kërkon ndihmën e organeve, kërkon heshtjen e organeve në këto shkelje, kërkon miratimin e organeve në këto shkelje. Prandaj, nuk ka as analizë, nuk ka as hulumtim, nuk ka as goditje të faktit se Sulejman Rexhepi u largua në bazë të këtij Neni. Sepse, ky arsyetim pa dyshim që i tërheq pas vete të gjithë bashkëpunëtorët e Sulejman Rexhepit, të cilët, sot, presin radhë për të shkuar te ish-lideri i tyre për të kërkuar falje për tradhëtinë dhe për t’u rrëfyer për tërë strategjinë e shërbimeve sekrete që e luajtën.
Kurse pushteti aktual, “nëna” e kësaj loje të pandershme, rri i heshtur, i distancuar. Nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të BFI-së! Ndërsa e financon! I jep fshehurazi para! Kush financohet fshehurazi, ë? Kur nisë ky financim i një “organizate popullore”! Natyrisht, kur humbet besimi i popullit dhe kur shpëtimin e kërkon te pushteti, pavarësisht nëse është mik apo armik i kësaj ORGANIZATE!
Dy-tri fjalë për opozitën shqiptare
Fatkeqësisht, partitë shqiptare të spektrit opozitar, tërë këtë ngjarje makabre të zhvilluar brenda dhe rreth BFI-së, e kanë kundruar me një pasivitet total, me një heshtje sikur të bëhej fjalë për ndonjë institucion krejtësisht jashtë sferave të interesit kombëtar e fetar shqiptar.
Natyrisht, kanë bërë mirë që nuk kanë bërë përpjekje që të futen brenda dhe ta tollovisin punën edhe më shumë, kanë bërë mirë që nuk janë inkuadruar politikisht, sepse do t’i hapnin rrugë sektarizimit dhe radikalizmit të shoqërisë shqiptare, sepse, jo të gjithë brenda BFI-së janë BDI apo me BDI-në! Por ama, sensibilizimin e opinionit të brendshëm dhe faktorin ndërkombëtar kanë mundur ta bëjnë me atë se çfarë i ka ndodhur të vetmit Institucion fetar islam anëtarë të së cilës pjesa dërmuese janë shqiptarë.
Nuk guxojnë të rreshtin së reaguari kundër “dorës së zezë” që ka kapur për qafe këtë Institucion me qëllim të përuljes së saj para interesave që janë jashtë çdo sfere të interesit shqiptar e mysliman. Nuk guxojnë të rreshtin së reaguari, madje do të ishte mirë që të kërkojnë edhe formim të komisioneve parlamentare për ta hetuar përzierjen e shërbimit intelegjent maqedonas në degradimin e këtij Institucioni deri në “filiale” të shërbimeve të huaja intelegjente!
Këtij Institucioni i nevojitet gjak i freskët, i nevojitet tru aktiv që do të dijë ta drejtojë dhe të zhvillojë reforma të thella e gjithëpërfshirëse, konform rrjedhave bashkëkohore dhe kërkesave të pashmangshme që vijnë nga BE-ja si kusht për inkuadrimin e vendit në familjen e madhe evropiane.
Ta harrojnë të gjithë faktorët me relevancë në vend se, Maqedonia e Veriut, me një pajtesë me Bullgarinë dhe me një Institucion fetar të kapuar nga politikat partiake, mund të synojë inkuadrimin në BE! Në BE ka me qindra bashkësi fetare të cilat as që guxojnë të ëndërrojnë të merren me politikë por dhe, as që guxojnë të jenë dyerhapura për politikën, e aq më pak për shërbime të huaja intelegjente!
Të gjithë ata që BFI-në e shndërruan në filiale të LSDM-BDI sa më parë duhet të ikin me qëllim që ky Institucion të shkapet nga politikat partiake. Dhe këta militantë partiakë dihen me emër e mbiemër. Fëlliqtë ia kanë nisur lojës, flliqtë do të dalin nga loja!
Kthimi i BFI-së te populli mysliman i vendit është i domosdoshëm!