Noka mbron Kreshnik Spahiun: Arrestimi si në shtetet me diktatura të instaluara

Partia Demokratike e konsideron politik arrestimin e kreut të Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu. Deputeti demokrat, Flamur Noka deklaroi se është e papranueshme që një kryetar partie të arrestohet në zyrën e tij sikur të ishte kriminel, ndërkohë që kriminelët sipas tij janë në Parlament. Për zt. Noka, veprime të tilla janë vetëm në shtetet me diktatura të instaluara.

Noka: Shteti ligjor nuk ekziston më në këtë vend. Të arrestosh për protestë do të thotë të kthesh frymën e diktaturës dhe po vret frymën e protestës. Kjo qeveri është në panik. Është e papranueshme. Nuk ka vend në botë që ndodh kjo gjë që të arrestohet një kryetar partie në zyrë sikur të ishte një kriminel, sikur të ishte një vrasës.

Për fat të keq kjo po ndodh rëndom në vend. Arrestohen qytetarë të lirë dhe personalitete, ndërkohë që trafikantë dhe kriminelë janë në Parlament. Nuk besoj se keni parë në këto tre vite të arrestohet qoftë edhe një kriminel.

Arrestimi është për motive të pastra politike dhe kjo ndodh vetëm në shtetet ku ka diktatura të pastra. Kreshnik Spahiu është arrestuar për arsye se ka zhvilluar një protestë para velinës së Edi Ramës.

Leave a Reply