Autoritetet norvegjeze dëbuan në Rusi, 60 emigrantët e parë sirianë, të cilët kishin mbërritur në Norvegji, vjeshtën e vitit të kaluar. Sipas vendimit të qeverisë së Oslos, që u mor nëntorin e vitit të kaluar, janë 5500 azilkërkues që do të kthehen mbrapsht në Rusi.
Vendimi u kritikua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, sepse bie ndesh me Konventat për Refugjatët.
Megjithëse Norvegjia nuk është vend anëtar i BE-se, bën pjesë në zonën Shengen. Në pritje të procedurave të dëbimit, azilkërkuesit qëndruan në kampin e Kirkenes-it duke përballuar temperaturat e ulta që arrinin deri në minus 30 gradë.
Shumë prej refugjatëve sirianë janë shprehur të habitur dhe të dëshpëruar: “Nuk kemi më para, nuk flasim rusisht dhe sapo të kalojnë kufirin, askush nuk do të na ndihmojë”.
Refugjatët që u dërguan në Rusi, ndërmorrën të ashtuquajturën “Rrugën e Artikut”, duke kaluar kufirin mes Rusisë dhe Norvegjisë me bicikleta. Prej fillimit të vitit 2015, të paktën 29 mijë emigrantë kanë kërkuar azil në Norvegji.