Rezultatet e para të procesit të vetting-ut për noterët në Shqipëri do të dalin në tremujorin e parë të vitit 2020. Kjo u bë e ditur sot nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në takimin që zhvilloi me gazetarët.
“Po kryejmë vetting-un e noterëve, janë pothuajse 700 noterë për të cilët rezultatet do dalin në tremujorin e parë të 2020. U shty pak si vetting për shkak të tërmetit”, theksoi ministrja.
Por procesi i rivlerësimit nuk do të ndalet vetëm te noterët, por do shtrihet edhe te një tjetër profesion i lirë, siç është ai i përmbaruesve.
“Nën vetting do vendoset edhe një profesion tjetër i lirë. Vetting-ut do t’i nënshtrohen edhe përmbaruesit, reformimi do kryhet jo vetëm në aspektin profesional. Aktualisht kemi një regjistër në Ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Gjonaj.