Konflikti mund të tërheqë në luftë Turqinë dhe Rusinë
Vijon e ashpër në ditën e tretë beteja e armatosur mes armenëve dhe ushtrisë së Azerbajxhanit në rajonin e Nagorni Karabakut, me një bilanc prej dhjetra të vrarësh.
Ministria armene e Mbrojtjes tha se 58 trupa ushtarake nga radhët e tyre ishin vrarë gjatë ofensivës së ushtrisë azere në rajon. Ushtria e Armenisë lufton në krah të militantëve separatistë që kanë nën kontroll rajonin e Nagorni Karabakut, ku banorët armenë përbëjnë shumicën e popullsisë.
Qeveria e Azerbajxhanit tha se ka çliruar disa zona nga militantët dhe ushtarët armenë.
Pasi doli hapur në mbështetje të aleatit të tij Alijev, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se Armenia duhet të tërhiqet nga territoret azere që ka pushtuar. Vetëm në këtë mënyrë mund të vendoset paqja në rajonin e Kaukazit.
Stabiliteti i Azerbajxhanit është i rëndësishëm për Turqinë pasi nga ky vend nisin tubacionet që transportojnë gaz përmes Turqisë drejt Europës. Analistët thonë se konflikti mund të përfshijë në luftë veç Turqisë edhe Rusinë, që në Armeni ka një bazë të madhe ushtarake.