Objektivat/ Udhëheqësit e BE-së propozojnë planin më ambicioz për klimën

Bashkimi Evropian ka njoftuar një sërë propozimesh për ndryshimin e klimës që synojnë ta shtyjnë atë drejt neutralitetit deri në vitin 2050.

Udhëheqësit prezantuan planet më gjithëpërfshirëse deri më sot, me një objektiv të ri që deri në vitin 2030 të ulin sasinë e çliruar të karbonit në 55%, nën nivelet e vitit 1990.

Planet shkaktuan konflikte serioze në Komisionin Evropian, krahu administrativ i bllokut, ndërsa bëheshin ndryshimet e fundit, thanë burimet për agjencinë e lajmeve AFP.

“Duke vepruar tani ne mund t’i bëjmë gjërat në një mënyrë tjetër … dhe të zgjedhim një mënyrë më të mirë, më të shëndetshme dhe më të begatë për të ardhmen,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Është detyra jonë [të sigurojmë] mirëqenien jo vetëm të brezit tonë, por të fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave tona. Evropa është e gatshme të udhëheqë rrugën.”

Propozimi në fjalë do të përfshinte çdo sektor të ekonomisë së BE-së në Sistemin e Këmbimit për Çlirimin e Gazeve, që nxit kompanitë të ulin emetimet duke taksuar karbonin që ato prodhojnë.

Një nga aspektet më të rëndësishme të paketës është një taksë e re mbi karbonin e prodhuar nga importet e huaja, e cila nga ana tjetër mund të rrisë çmimet për konsumatorët.

Kjo taksë kufitare – e njohur zyrtarisht si mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufi – do të siguronte që BE-ja ta reduktojë çlirimin e gazeve në të gjitha vendet anëtare dhe të mbronte kompanitë vendase kundër konkurrencës së çmimeve nga kompanitë e huaja pa të njëjtat kufizime mjedisore.
Komisioni gjithashtu po planifikon të heqë dorë plotësisht nga shitja e makinave me motor me djegie deri në vitin 2035, duke e çuar efektivisht në zero sasinë e gazeve të çliruar nga makinat e reja.

“Çlirimi i dioksidit të karbonit duhet të ketë një çmim dhe ne e dimë që çmimi i karbonit funksionon,” tha zonja von der Leyen.
Komisioni e vuri theksin tek një tranzicion drejt energjisë së rinovueshme në mënyrë të drejtë dhe të arritshme për të gjithë, veçanërisht për individët me të ardhura të ulëta dhe vendet anëtare, ekonomitë e të cilave varen më shumë nga industritë që shkaktojnë ndotje.

Taksat e mjedisit për individët kanë shkaktuar polemika në të kaluarën, siç për shembull protestat e jelekëve të verdhë kundër rritjes së taksave të karburantit nga qeveria franceze.

Leave a Reply