Në ditën botërore të luftës kundër duhanit, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është vlerësuar me çmimin më të lartë të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për zbatimin për herë të parë të ligjit antiduhan.
Me anë të një letre, drejtoresha rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Zsuzsana Jakab, i shpreh mirënjohjen e saj dhe të OBSH-së ministrit Beqaj.
“Kam nderin t’ju ofroj çmimin e Ditës Botërore Pa Duhan, si shenjë e vlerësimit për përpjekjet energjike të Shqipërisë nën drejtimin dhe urtësinë tuaj në luftën kundër epidemisë së duhanit dhe për mbrojtjen e shëndetit publik”, theksohet në letër.
“Shqipëria ka ratifikuar konventën e OBSH-së për kontrollin e duhanit në vitin 2006, por përfshirja juaj ishte një gur themeli në vendosjen në vend të parë të shëndetit të popullatës dhe të ardhmes së shoqërisë”, shprehet Zsuzsana Jakab.