Ndryshimet klimatike së shpejti do t’i japin botës një goditje të fortë, ky është paralajmërimi i fundit i OKB, përcjellë përmes një raporti të ri mbi ndryshimet e klimës në planet. Raporti i OKB analizon përkeqësimet e tokës bujqësore dhe arrin në përfundimin se ndryshimet klimatike do të vënë në rrezik prodhimin ushqimor dhe do të rëndojnë problemin e urisë.
“Megjithë shtimin e prodhimit bujqësor, rreth 821 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ndryshimet klimatike do të sjellin rënie të prodhimtarisë, rritje të çmimeve, ulje të cilësisë ushqyese të produkteve dhe ndërprerje të linjave të furnizimit,” thuhet në raport. Sipas raportit, temperaturat e larta rekord të kohëve të fundit kanë sjellë shkrirjen e akujve në Groenlandë, duke paralajmëruar ngritje të frikshme të nivelit të detit.
Shkencëtarët në Komisionin e OKB-së për klimën thonë se faktorët e shkaktuar nga njeriu kërcënojnë ekosistemet e brishta të planetit.
Sipas tyre, “Parashikohet një ndikim më i madh mbi tokën bujqësore si rezultat i mungesës së ujit, zjarreve dhe ndryshimeve në shtresën e ngrirë të dheut. Në brezat më të ngrohtë klimatikë mund të bjerë kapaciteti i tokës për thithjen e karbonit”. Anëtarët e komisionit të OKB, bëjnë thirrje për përpjekje globale për të luftuar ndryshimet klimatike:
“Për të mbajtur ngrohjen globale deri në 1.5 apo 2 gradë duhet të eliminojmë gazin karbonik nga atmosfera. Toka luan një rol kritik në eliminin e këtij gazi”. Shkencëtarët thonë se efektet negative mund të zbuten duke reduktuar mbetjet ushqimore dhe me një bujqësi më dinamike:
“25-30 për qind e ushqimit shpërdorohet. Nëse reduktojmë humbjet ushqimore mund të ulim trysninë mbi tokën dhe të pakësojmë sasinë e gazeve karbonike. Po ashtu me një dietë më të balancuar mund t’u përshtatemi më mirë ndryshimeve klimatike,” thuhet në raport.
Komisioni i OKB nuk dikton se çfarë duhet të hanë njerëzit, por rekomandon uljen e konsumit të mishit të gjedhëve duke shtuar konsumin e ushqimeve bimore si rrugëzgjidhje për të ulur deri në 15% brenda vitit 2050 sasinë e gazeve që çlirohet në atmosferë.