“U mohon njerëzve të drejtën për azil”
Kombet e Bashkuara renditen kundër planit radikal të qeverisë britanike për të ndaluar të gjitha hyrjet e paligjshme të shtetasve të huaj në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Duke shprehur shqetësim të thellë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, paralajmëron se do t’a dërgojë ligjin në gjykatat ndërkombëtare.
Propozimi sipas UNHCR, u mohon njerëzve të drejtën për azil, pavarësisht se sa të vërteta dhe bindëse mund të jenë rastet individuale dhe mund të dëmtojë edhe ata që janë në prag të përfitimit të azilit.
Megjithatë, kryeministri Rishi Sunak është shprehur ‘i gatshëm për luftë’ për t’a vënë në zbatim ligjin.
“Ka vështirësi, por është e nevojshme dhe e drejtë. Njerëzit duhet ta dinë se nëse vijnë ilegalisht, do të burgosen dhe do të kthehen menjëherë andej nga erdhën. Kështu do të kuptojnë se nuk mund të dynden me varka”.
Për Sekretaren e Brendshme Suella Braverman, plani nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar.
“Ne po testojmë argumente juridike novatore me shumë kujdes”.
Me planin e ri emigrantët ilegalë nga vende të sigurta si Shqipëria, kthehen menjëherë në vendin e origjinës dhe u ndalohet me ligj hyrja në Britaninë e Madhe. Projektligji që është ende në faza diskutimi në parlament u hartua pasi vetëm vitin e kaluar, në Britaninë e Madhe pati 45 mijë kërkesa për azil, një rritje vjetore 500%.