U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi, njofton presidenca.
Para caktimit të kësaj seance Kurti dhe Osmani kanë ftuar liderët e partive politike në takime të ndara, për të diskutuar rreth formimit të institucioneve, përkatësisht zgjedhjes së presidentit.
Sot, ata janë takuar me kryetarin në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhajn dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot s’ka mundur të takohet me ta. Ai ua ka dërguar nga një letër Osmanit dhe Kurtit, duke u shprehur i gatshëm që të takohet me ta këtë të premtë.
Lista e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe Vjosa Osmani me bashlëpunëtorë, ka fituar 50.2% të votave në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të mbajtura më 14 shkurt.
Megjithatë, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit u duhen 2/3 e votave të deputetëve që të mund ta bëjnë këtë të fundit presidente me mandat të plotë pesëvjeçar.