Flet skocezi: Nuk kemi kryer spiunazh
Shtetasi skocez, Colin McGowan, i cili u ndalua dhe u mor gjatë në pyetje nga autoritetet shqiptare në mes të muajit Maj, pasi u kap me disa radio të dyshimta, thotë për mediat britanike se nuk ka kryer spiunazh në vendin tonë. 46-vjeçari pretendon për gazeten “Daily Record”, se është i apasionuar pas radios dhe se veprimi i autoriteteve në Shqipëri është pasojë e mosdijenisë mbi këto pajisje amatore.
“Mund t’ju siguroj se nuk po spiunoja. Unë nuk jam plotësisht i sigurt se çfarë mund të përfshijë spiunimi për të qenë i sinqertë dhe nuk do të dija nga të filloja. E gjithë kjo ishte paksa e befasishme, por besoj se mungesa e përvojës apo njohurive të radios amatore nga autoritetet shqiptare është ajo që e shkaktoi këtë. Ata thjesht nuk kishin parë pajisje si tonat dhe donin të siguroheshin që gjithçka ishte në rregull”, u shpreh ai.
Shtetasi skocez ishte në Shqipëri me mikun e tij Paul Tittenso. Edhe ky i fundit, sipas burimeve të Televizionit Klan, deklaroi për autoritetet tona se ishte gjithashtu i apasionuar pas radiove.
Pajisjet e kapura në Rinas vunë në alarm autoritetet për ndërhyrje në frekuencat e institucioneve të rëndësisë së veçantë dhe pjesë e hetimeve u bë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Deklarimet e dy shtetasve të huaj nuk ishin bindëse për hetuesit tanë dhe pajisjet janë ende duke u ekzaminuar ne laboratorin e kriminalistikës.