Pamjet kur Santiago Malko plagosi dy vëllezër, pikënisja e ekzekutimit mafioz

Tv Klan siguron videon e sherrit masiv në Kinostudio 1 vit më parë

Publikohen pamjet e plagosjes së trefishtë në një lokal bastesh në zonën e Kinostudios në Tiranë, mbrëmjen e 27 Qershorit 2018 pak para mesnatës. Në atë kohë policia dyshonte se ishte ish-kolegu i tyre Santiago Malko njëri prej personave të përfshirë në ngjarje dhe që kishte qëlluar me armë duke lënë të plagosur dy vëllezër të grupit rival.

Sherri që nisi verbalisht, degjeneroi në përdorimin e armëve. Sikurse shihet në pamjet e kamerës së sigurisë të lokalit të basteve, dy vëllezërit janë qëlluar me pistoletë nga një person që sipas policisë në atë kohë dhe informacioneve të grumbulluara kishte dyshimet e arsyeshme se ishte Santiago Malko. Një person i tretë mbeti i plagosur nga të shtënat. Në video duken edhe momentet kur personat të cilët ndodhen brenda lokalit të basteve, hedhin në rrugë karrige e sende të tjera.

Tvklan.al ka qenë në vendngjarje kur ndodhi sherri masiv mes dy grupeve Qershorin e vitit 2018. Dëshmitarët thanë se ishin dëgjuar shumë të bërtitura dhe të paktën 20 të shtëna me armë, kur dy grupet rivale qëllonin në drejtim të njëri-tjetrit.

Pikërisht kjo ngjarje e ndodhur para pak më shumë se një viti, besohet se është shkaku i atentatit në Tiranë më 27 Gusht 2019, kur ish-polici Malko u ekzekutua teksa po udhëtonte me makinë në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit në kryeqytet.

Për këtë ngjarje Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur në kërkim 8 persona si të dyshuar. Ata janë vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Fatmir Hyseni, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku dhe Dritan Agaj. 

Leave a Reply