Menjëherë u dha alarmi për zjarr në bord dhe pothuajse të gjithë udhëtarët hipën në varkat e shpëtimit. Njëri nga pasagjerët ka shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe u transportua në Spitalin e Korfuzit. Ndërsa mediat greke raportojnë se janë të humbur 11 pasagjerë të cilët mungojnë.
Anija e parë që i shkoi në ndihmë tragetit ka qenë një mjet i rojes bregdetare italiane që kishte shkuar në Korfuz për riparime dhe po kthehej drejt Italisë. Gjatë kthimit, në mes të detit panë tragetin e përfshirë nga flakët. Më pas në vendngjarje shkuan rimorkiatorë të tjerë dhe anije për të transportuar udhëtarët që zbritën nga trageti në flakë.
Shkaku i rënies së zjarrit nuk është i qartë dhe pritet hetimi i autoriteteve për të zbardhur ngjarjen.
Trageti në flakë, në ujërat territoriale shqiptare. Dy anije të Forcës Detare të përfshira në operacion
Anijet shqiptare “Butrinti” dhe “R-117” janë të angazhuara për shuarjen e zjarrit që përfshiu tragetin e linjës Igumenicë-Brindisi pranë ishullit të Korfuzit në Shqipëri.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shkruan në Facebook se trageti ka qenë jashtë ujërave të Shqipërisë kur u përfshi nga flakët, ndërsa tani operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet në ujërat territoriale të vendit tonë.
“Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det. Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territorial, 5 milje larg Porto Palermos. Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117. Më herët pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija”, shkruan ministri Peleshi.