Parkingjet me pagesë, debate në Këshillin Bashkiak të Tiranës

Këshilli Bashkiak i Tiranës, i mbledhur me rreth dy orë vonesë për shkak të debateve mes këshilltarëve të majtë mbi pikën kryesore të rendit të ditës, tarifat e parkingjeve publike në kryeqytet, po vijon me diskutimet e nevojshme mbi këtë projektligj.

Mbledhja ishte parashikuar të niste rreth orës 17:00, por është shtyrë me dy orë për të nisur në 19:00, gjë të cilën kryetari i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli e ka quajtur si të turpshme dhe të paprecedentë, për shkak se të djathtët në Bashkinë e Tiranës nuk ishin njoftuar për këtë shtyrje dhe as për arsyen e saj.

Në fjalën e mbajtur në lidhje me rendin e ditës, kreu i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi si një domosdoshmëri çështjen e menaxhimit të parkingjeve përmes një agjencie, në mënyrë që të ardhurat e siguruara nga ky shërbim publik t’i shkojnë bashkisë dhe të përdoreshin më tej për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Kryebashkiaku Veliaj solli si shembull projektlin pilot të parkingut te sheshi “Italia”, të ardhurat e së cilës kanë kapur shifrën e rreth një mijë eurove në ditë, apo 30 mijë euro në muaj për Bashkinë e Tiranës.

“Ju i keni parë ca njerëz që vijnë vërdallë dhe marrin para cash nga njerëzit për t’u parkuar makinat. 1 mijë euro në ditë fitim bashkisë nga parkingu te sheshi ‘Italia’, një projekt pilot që rezulton një histori suksesi, – është shprehur Veliaj. – Një tjetër projekt pilot është ai në rrugën ‘Dritan Hoxha’, ku kemi edhe një korsi për urbanin dhe një për biçikletat. Lajmi i mirë është për rezidentët, të cilët e kanë parkimin falas. Sheshet e pallateve ishin kthyer në sheshe për shitje automjetesh, ndërkohë që të ardhurat do t’i shkonin qytetit. Vende shumë më të sofistikuara se ne i kanë bërë këto debate, por nuk i kanë politizuar”, ka thënë ndër të tjera Veliaj.

Në diskutime, aktualisht po flitet për tarifimin, pasi bashkia aktualisht ka një vetëm një regjim, atë për 3 mijë vende me 1000 lekë ora, ndërkohë që sipas Veliajt, kryeqyteti duhet të ketë disa paketa tarifimi.

Leave a Reply