Parlamenti i Bashkimit Evropian mbështet përpjekjen e Ukrainës për të arritur statusin e kandidatit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, tha presidentja e parlamentit Roberta Metsola të premten në Samitin e Demokracisë në Kopenhagë.
“Parlamenti i BE-së qëndron fort pas kërkesës së Ukrainës për të marrë statusin e kandidatit në BE,” tha Metsola.
Pas shqyrtimit të dy pjesëve të pyetësorit të dorëzuar nga Kievi në Bruksel për angazhimet dhe kërkesat për marrjen e statusit, javën e ardhshme Brukseli mund të nisë rekomandimin e pritur.
Më 18 prill, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i dorëzoi zyrtarëve të BE-së një pyetësor të plotësuar për të aplikuar për marrjen e statusit të shtetit kandidat në BE.
Dhënia e statusit të shtetit kandidat për Ukrainën do të vendoset nga anëtarët e bllokut, të cilët do të veprojnë sipas këshillave të ekspertëve të Komisionit Evropian.
Nëse miratohet statusi i shtetit kandidat, Ukraina do të duhet të kalojë nëpër një proces të ndërlikuar dhe potencialisht të gjatë të pranimit, ku duhet të dëshmohet përmbushja e standardeve rigoroze demokratike dhe të sundimit të ligjit.
Por, duke pasur parasysh pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës, zyrtarët e BE-së kanë thënë se ata do të punojnë që të përshpejtojnë këtë proces./REL