Pushteti mirëpret mbështetjen e opozitës shqiptare për Regjistrimin, por e kundërshton kategorikisht propozimin për formimin e Komisionit Shtetëror për Regjistrim. Deputeti i BDI-së Arbër Ademi thotë se Komision shtetëror për regjistrim i formuar nga përfaqësues politik dështoi para 10 viteve.
Propozimi që të themelohet një komision në nivel nacional e që do të përkujdeset për realizimin e Regjistrimit është një dallim thelbësor konceptual dhe u tregua i pasuksesshëm në vitin 2011. Dhe ky propozim vizavi Entit Shtetëror Statistikor me nënshkrim të lidhur të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në të gjitha fazat e regjistrimit, sigurisht se është i papranueshëm- deklaroi Arbër Ademi, BDI.
Sipas deputetes së LSDM-së, nëse do të formohej Komision sipas propozimit të opozitës, atëherë i bie që politika do të futet në regjistrim.
Komision i posaçëm i përbërë nga përfaqësues të partive politike, do të jetë e kundërta, se në atë mënyrë ne e fusim politikën. Qëndrimi i shumicës parlamentare ka qenë, është dhe do të jetë se patjetër ta kuptojmë që politikën duhet ta përjashtojmë nga ajo që do të thotë operacion më i rëndësishëm statistikor- pohoi Snezhana Kalevska Vançeva.
Megjithatë opozita maqedonase mbetet në dyshimet se regjistrimi do të jetë proces politik. Deputeti Nikolla Micevski tha se deklaratat e fundit të partive në pushtet, që nuk do të pranojnë përqindje të caktuar, dëshmon se procesi i regjistrimit do të jetë politik.
Për shkak se dëgjojmë se referojnë me numra, ndërsa kur të gjithë presim që të jetë proces statistikor për çka edhe ata vetë duan të na bindin, vallë kjo që e paraqesin si operacion statistikor nuk do të dalë operacion politik, sepse shohim që përmenden numra që nuk do të pranohet ky regjistrim nëse përqindjet dalin më të ulëta, dhe atë nga parti politike. Unë këtu do të pyesja nëse kjo po i zbardh qëllimet e tyre, pasi prej tani dërgohen porosi se numrat në Regjistrim duhet të jenë të kënaqshme për disa parti- tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
Opozita shqiptare ASH-AAA të martën deklaroi se pavarësisht që pushteti nuk i pranoi amendamentet e tyre për Ligjin për Regjistrim, ata do ta mbështesin këtë ligj. Por vlerësojnë se që regjistrimi të jetë i pranueshëm nga të gjithë, më mirë do të ishte të zbatohet nga një Komision Shtetëror i përbërë nga përfaqësues të partive politike. Propozim ligji është në procedurë në Kuvend e ende nuk dihet saktë se kur do të miratohet.