Qytetarët rumunë i janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, në një raund të dytë zgjedhjesh pas anulimit të procesit të mëparshëm për shkak të dyshimeve për ndërhyrje të huaj.
Në qendër të vëmendjes është kandidati i ekstremit të djathtë, George Simion, 38 vjeç, i cili prin në sondazhe me një platformë nacionaliste, që kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe kritikon ashpër Bashkimin Evropian. Si lider i partisë Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), Simion ka shfrytëzuar pakënaqësinë publike pas skandalit të raundit të parë, i cili u anulua pas zbulimit të një fushate të dyshuar ndikimi nga Rusia dhe përjashtimit të kandidatit Călin Georgescu për shkelje të rregullave financiare dhe lidhje me grupe radikale.
Megjithëse përpiqet të paraqitet si një zë më i moderuar, Simion ruan një qasje të theksuar sovraniste dhe kërkon rikthimin e territoreve historike. Ai e konsideron veten si një aleat natyral të Donald Trump dhe ka ndërtuar një bazë të fuqishme mbështetjeje në rrjetet sociale, ku vetëm në TikTok numëron mbi 1.3 milion ndjekës.
Pavarësisht popullaritetit të tij, parashikimet sugjerojnë se ai nuk do të arrijë të fitojë mbi 50% të votave që në raundin e parë dhe pritet të përballet në balotazh më 18 maj me një nga kandidatët e qendrës, Nicușor Dan ose Crin Antonescu.
Presidenti i Rumanisë ka rol kyç në çështjet e politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe përfaqësimit ndërkombëtar, çka e bën këtë proces zgjedhor vendimtar për orientimin e ardhshëm të vendit ndaj NATO-s dhe BE-së.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në 21:00 me orën lokale. Rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së votimit, ndërsa numërimi përfundimtar mund të zgjasë për shkak të pjesëmarrjes së lartë nga diaspora.