Nga Selaniku, ku u ndodh pasditen e së enjtes për festat e shenjtit mbrojtës të qytetit, Shën Dhimitrit, 105-vjetorit të çlirimit të këtij qyteti nga turqit si dhe përvjetorin e fillimit të luftës italo-greke, Presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos, përsëri u është referuar çështjeve kombëtare, duke dërguar mesazhe ndaj fqinjëve të Greqisë, midis tyre edhe Shqipërisë.
Ndonëse më herët shefi i diplomacisë greke kishte vlerësuar tërheqjen e qeverisë shqiptare nga prishja e ndërtimeve në Himarë dhe kishte folur për një frymë të re dialogu mes palëve për zgjidhjen e çështjeve pezull midis dy vendeve, Pavlopoulos ka vazhduar përsëri të mbajë qëndrim të rreptë ndaj Tiranës zyrtare, duke theksuar se me sjelljet që shkelin rëndë të drejtat themelore të njeriut, midis tyre edhe të drejtat e minoritetit grek dhe të drejtat ndaj pronës, nuk ka asnjë mundësi për të thënë se Shqipëria ka një perspektivë europiane.
“Si vend përgjegjës në Ballkan, që ka detyrim të vendosë se kush mund të bëhet anëtar i BE-së, Athina nuk mund të rrijë duarkryq ndaj sjelljeve të tilla të Tiranës, që po minon vetë perspektivën e saj europiane”, ka përfunduar mesazhin e tij Presdenti grek.