Pavlopoulos, jo si Kotzias: Nuk ka miqësi të njëanshme

Nga Selaniku, ku u ndodh pasditen e së enjtes për festat e shenjtit mbrojtës të qytetit, Shën Dhimitrit, 105-vjetorit të çlirimit të këtij qyteti nga turqit si dhe përvjetorin e fillimit të luftës italo-greke, Presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos, përsëri u është referuar çështjeve kombëtare, duke dërguar mesazhe ndaj fqinjëve të Greqisë, midis tyre edhe Shqipërisë.

“Ne kemi thënë se e duam perspektivën e Shqipërisë për të ardhmen dhe e dimë që në kohë të vështira grekët dhe Greqia i kanë qëndruar pranë. E përjetuam këtë gjatë stinës së verës. Sepse ne fikim zjarret reale që ndizen. Por, kjo nuk mund të jetë një miqësi që kushton në mënyrë të njëanshme. Shqipëria duhet ta perceptojë këtë dhe sidomos udhëheqja e sotme e saj, që fatkeqësisht çdo ditë jep shembuj që nuk i përkasin vetëm Greqisë në veçanti, por në përgjithësi shembuj të cilët nuk i përshtaten një shteti anëtar të komunitetit ndërkombëtar dhe një anëtari kandidat për BE-në”, deklaroi Pavlopoulos.

Ndonëse më herët shefi i diplomacisë greke kishte vlerësuar tërheqjen e qeverisë shqiptare nga prishja e ndërtimeve në Himarë dhe kishte folur për një frymë të re dialogu mes palëve për zgjidhjen e çështjeve pezull midis dy vendeve, Pavlopoulos ka vazhduar përsëri të mbajë qëndrim të rreptë ndaj Tiranës zyrtare, duke theksuar se me sjelljet që shkelin rëndë të drejtat themelore të njeriut, midis tyre edhe të drejtat e minoritetit grek dhe të drejtat ndaj pronës, nuk ka asnjë mundësi për të thënë se Shqipëria ka një perspektivë europiane.

“Si vend përgjegjës në Ballkan, që ka detyrim të vendosë se kush mund të bëhet anëtar i BE-së, Athina nuk mund të rrijë duarkryq ndaj sjelljeve të tilla të Tiranës, që po minon vetë perspektivën e saj europiane”, ka përfunduar mesazhin e tij Presdenti grek.

Leave a Reply