Partia Demokratike po kompleton një dosje për të treguar publikisht se ku kanë shkuar paratë që Operatori i Shpërndarjes po u merr shqiptarëve, në disa raste, siç thotë opozita, edhe në mënyrë tragjike.
Kryetari Lulzim Basha doli vetë për të denoncuar ato që opozita i quan disa nga aferat më flagrante korruptive me tenderat që zhvillohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
“Çfarë i bënë këto para’? 5 miliardë ia japin Carapulit, ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës, me tender të bërë enkas për të, me çmim të fryrë dhe ku ai është ofertuesi më i shtrenjtë; 850 milionë lekë i janë dhënë Safet Gjicit, kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë e Kamzës, 340 milionë lekë i janë dhënë Pjerin Ndreut, deputetit të Edi Ramës; miliona ka marrë kompania e Ilir Beqjës; 970 milionë lekë ka marrë kompania e Sadri Abazit. Këto janë para’ të shqiptarëve, të dhëna pa tender dhe pa garë”, u shpreh Basha.
Opozita dhe qeveria kanë edhe një betejë tjetër mes tyre, aferën CEZ, dhe Lulzim Basha kishte një ton shumë të ashpër kur analizoi pse, sipas tij, Edi Rama dhe Ilir Meta po zvarrisin hetimin ndërkombëtar.
“Nuk mundet që Rama të qeverisë vendin kur e ka plaçkitur me 600 milionë euro. Transparenca dhe drejtësia po zvarriten nga Edi Rama dhe Ilir Meta sepse qëndrojnë kokë e këmbë pas kësaj afere. Mbajnë njëri-tjetrin në këtë mëkat dhe mbajnë sa më larg hetimin”, deklaroi Basha.
Si asnjëherë më parë, kreu i Partisë Demokratike nuk u mjaftua vetëm për llogaridhënien e atyre që i falën CEZ-it 600 milionë dollarë: “Paratë do të kthehen, përgjegjësit do të vihen para drejtësisë. Pa ndodhur kjo, në Parlament dhe në vend nuk do të ketë as qetësi, as stabilitet”.