PD: Tahiri, pjesë e trafikut të drogës, u përgjua nga italianët

Partia Demokratike u është rikthyer edhe njëherë tjetër akuzave të saj në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe këtë herë ato janë akoma më të rënda.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Arben Ristani deklaroi se në raportet e policisë italiane del gjithnjë e më shumë përfshirja e Saimir Tahirit në trafikun e lëndëve narkotike.

Si shembul për këtë, Arben Ristani solli në kujtesë dy operacionet e fundit të policisë italiane; kapjen e grupit që trafikonte deri në 1 ton heroinë në vit në Itali dhe e avionëve të vegjël që përdoreshin për trafik droge nga Shqipëria.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, përfshirja e Tahirit është e dokumentuar nga pala italiane, përmes përgjimit të një bisede.

“Në të dy rastet, është policia italiane që ka informacionin dhe organizon aksionet. Në të dy rastet, Saimir Tahiri, drejtpërdrejt i përfshirë. Eshtë dokumentuar nga partnerët, biseda e ministrit tonë të brendshëm me kokat e trafikut, duke u justifikuar para tyre, pas zbulimit të drogës në një banesë në Durrës. ‘Nuk e keni prej meje – u thotë Tahiri kokave të trafikut. Po sigurisht nuk e kanë prej Saimir Tahirit sepse ai është njëri prej tyre”, deklaroi Ristani.

Sipas opozitës, policia italiane është e vetme në luftën kundër trafikut të drogës dhe pengesa kryesore për ta është Saimir Tahiri, madje edhe kryeministri Rama që e mbron atë.

“Saimiri vazhdon t’u shërbejë trafikantëve me besnikëri çdo ditë, çdo ditë Saimir Tahiri bën krenar dhe të lumtur Edi Ramën. Ka vetëm një kryeministër në botë që toleron dhe rreh shpatullat e narko-ministrit të Brendshëm; ky është Edi Rama”, mbylli deklaratën e tij Ristani.

Leave a Reply