PD: Ulsi Manja Ministër Drejtësie, provokim ndaj shoqërisë shqiptare

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama për vendosjen e Ulsi Manjës në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Deputeti i zgjedhur, Enkelejd Alibeaj, thotë në një postim në Facebook, se emërimi i Manjës është provokim ndaj shoqërisë shqiptare.

Sipas tij, Ulsi Manja është simbol i pandëshkueshmërisë së krimeve elektorale të Dosjes 184.

“Emërimi i Ulsi Manjës si Ministër Drejtësie, është një provokim ndaj shoqërisë shqiptare. Qytetarët tanë dhe bota mbarë ia njeh krimet që ka kryer në bashkëpunim me Edi Ramën. Caktimi në krye të Drejtësisë të një prej simboleve të pandëshkueshmërisë së krimeve elektorale të Dosjes 184, është një shembull negativ që cënon edhe më shumë besimin tek institucionet kur ato dorëzohen tek individë që duhet të ishin përpara drejtësisë e jo në krye të saj. Ky është një tjetër ilustrim kuptimplotë se si masakra zgjedhore nuk zgjidhi asgjë për qytetarët. Përkundrazi, vota e vjedhur përdoret si imunitet për krimet e shkuara dhe ato të reja në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shkruan Alibeaj.

Vetë Kryeministri Edi Rama e komentoi vendimin për Manjën mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Rama tha se pavarësisht se emri i Manjës është përmendur në përgjimet e Dosjes 184, ai është një figurë me integritet dhe profesionist në Kuvend.

“Ulsi Manja është figurë me integritet, është një profesionist dhe kontributor në Kuvend si deputet dhe pastaj si kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe gëzon respekt në të gjithë PS dhe më gjerë se kaq. Dhe Ulsi Manja do jetë Ministër i Drejtësisë. Ka dalë në një përgjim, për çfarë, dhe pse? Duke folur në telefon”, tha Rama.

Leave a Reply