Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby akuzoi të premten Presidentin rus Vladimir Putin për brutalitet gjatë sulmit në Ukrainë, agresion i cili ka hyrë në muajin e tretë të tij.
“Nuk mendoj se ne e kuptuam plotësisht nivelin në të cilën ai do ta shtrinte këtë lloj dhune e mizorie mbi njerëzit e pafajshëm, mbi ata që nuk ishin luftëtarë, mbi civilët… me një shpërfillje të plotë për jetët që po merrte”, tha zoti Kirby për gazetarët.
Të enjten Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se po përpiqet të poshtërojë Kombet e Bashkuara duke hedhur raketa ndaj Kievit gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate, António Guterres. Sulmi tronditi përpjekjet e banorëve të kryeqytetit për t’iu rikthyer normalitetit ndërsa lufta dukej se ishte zhvendos drejt lindjes.
Në fjalimin e së enjtes në mbrëmje drejtuar kombit zoti Zelenskyy tha se kjo gjë kërkon reagimin e duhur të fuqishëm. Zoti Zelenskyy tha gjithashtu se forcat e Ukrainës po pengonin avancimin e Rusisë në juglindje të vendit.
Ndërkohë po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një kalim të sigurt për banorët e bllokuar në qytetin e Mariupolit, i cili është shndërruar kryesisht në rrënoja si pasojë e një rrethimi mbi 2-mujor të tij.
Rusia goditi disa objektiva nëpër të gjithë Ukrainën të enjten, përfshirë Kievin, ku raketat ranë edhe në një bllok apartamentesh banimi, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 10 të tjerëve.
Duke iu referuar të njëjtit sulm, Ministria ruse Mbrojtjes tha të premten se kishte shkatërruar një fabrikë të prodhuesit të raketave Artem në Kiev.
Sulmi në Kiev ndodhi vetëm një orë pas një konference për shtyp të zotit Zelenskyy me zotin Guterres, i cili dënoi sulmet ndaj civilëve dhe vizitoi disa nga objektet e shkatërruara në Kiev e përreth tij.
Këto ishin bombardimet më të ashpra të ndërmarra nga forcat ruse ndaj kryeqytetit, që prej tërheqjes së tyre disa javë më parë, pasi dështuan ta mernin atë nën kontrollin. Moska u ndesh me një rezistencë të fortë ukrainase, përforcuar nga armët perëndimore, çka pengoi përparimin e trupave të saj dhe i detyroi të tërhiqeshin për t’u rigrupuar.
Një pjesë e trupave po bën përpjekje të përparojë drejt qendrës industriale në lindje të vendit, Donbas, për të cilin Moska thotë se është aktualisht objektivi i saj. Sulmet ajrore dhe breshëritë e artilerisë e kanë bërë jashtëzakonisht të rrezikshme lëvizjen e gazetarëve dhe kjo e ka bërë të vështirë sigurimin e një tabloje të plotë të luftimeve në lindje.
Si Ukraina ashtu edhe rebelët e mbështetur nga Moska që luftojnë në lindje, po zbatojnë kufizime të rrepta mbi njoftimet nga zonat e luftimeve./VOA/